TIRANË-Partia Socialiste dorëzoi sot në Kuvend kërkesën për një komision hetimor që do të hetojë shtimin e popullsisë në Kukës. 

Deputetët e Grupit Parlamentar socialist e firmosën dje kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar lidhur me shtesat që i janë bërë popullsisë në disa komuna të qarkut të Kukësit. 

Kërkesa që i drejtohet kryetares së Kuvendit ka si objekt “ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit për hetimin e veprimtarisë së organeve shtetërore mbi lëvizjen e popullsisë në disa njësi vendore të qarkut Kukës gjatë periudhës qershor–nëntor 2012”. 

Qëllimi i këtij hetimi, sipas deputetëve socialistë, është “sqarimi i fenomeneve të dala nga zbatimi i keq i ligjit, identifikimi i përgjegjësive nga organet apo personave zyrtarë përkatës, analizimi i gjetjeve për të përgatitur rekomandimet për ndërhyrje ligjore e administrative për parandalimin apo dhe eliminimin plotësisht të tyre në të ardhmen”. 

Hetimin e tyre parlamentar, deputetët socialistë e bazojnë në shifrat e dyshimta që sipas tyre, jepen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për disa nga komunat e qarkut të Kukësit, ku vetëm gjatë muajve korrik, nëntor ka një shtim të popullsisë në një masë disa dhjetëra herë më të lartë se mesatarja kombëtare. Sipas tyre, janë 682 banorë që u janë shtuar disa prej komunave më të varfra të vendit, si ato Topojan, Kolsh, Fierzë, Shishtavec e Tropojë, me një ritëm edhe më të lartë se sa shtesat që janë bërë dhe në njësitë bashkiake në qendër të Tiranës apo dhe në qarkun e Durrësit. 

“Duke krahasuar shifrat zyrtare përkatëse të të dhënave zyrtare të fundit të muajit qershor 2012 dhe ato të fillimit të muajit nëntor 2012, lehtësisht vihet re se rritja e popullsisë për të 12-të qarqet e vendit për periudhën fund qershori – fillim nëntori 2012 është 0.39%. Ndërkohë që rritja për të njëjtën periudhe për qarkun e Kukësit është 0.63%, më e madhja mes të gjitha qarqeve pas Tiranës, me 0.75% dhe përpara qarkut të Durrësit, që vjen i treti, me 0.51%”, thuhet në kërkesën e PS.