Tiranë, 23 gusht 2014 – Partia Socialiste nëpërmjet deputetes Esmeralda Shkjau, përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për të ndalur vazhdimin e abuzimeve me lejet e ndërtimit që jepen jashtë normave ligjore e urbane. Deputetja socialiste tha se ditët e fundit opinioni publik është njohur me një shkelje flagrante të një premtimi të Lulëzim Bashës.
“Kur i duheshin votat, njësoj si Sali Berisha, Lulëzimi u zotua të ndërtojë një park sportiv tek diga e liqenit. Por njësoj si Sali Berisha edhe Lulëzim Basha, tjetër thotë e tjetër bën. Në vend të parkut sportiv kryebashkiaku i Tiranës ka dhënë lejen për të ndërtuar një mur gjigand betoni, me pesë kulla njëzetkatëshe vrojtimi, që ndan qytetin e qytetarët nga parku i mbetur i liqenit. Po nuk është vetëm kaq dhe nuk mbaron vetëm tek kjo leje abuzive, shpërdorimi i detyrës dhe i besimit të qytetarëve nga kryebashkiaku Lulëzim Basha”,deklaroi Shkjau.
Ajo tha se dhjetëra leje të tjera të dhëna në kundërshtim të plotë me interesin publik e qytetar, kanë marrë apo presin të marrin firmën e Lulëzim Bashës. Deputetja socialiste deklaroi se vendimi i djeshëm i qeverisë do ta ndalojë jo Lulëzim Bashën, po fenomenin Lul në mbarë Shqipërinë, që të vazhdoje të shkatërrojë e shëmtojë qytetet, bregdetin, pejsazhin anës rrugëve, tokën bujqësore, ullishtat, me leje abuzive që pjellin masivisht shëmtira prej betoni.
“Fenomeni “Lul” nuk fillon e as mbaron në kufijtë e autoritetit vendor. Por së paku, vendimi i djeshëm i qeverisë shqiptare ka vënë një cak të qartë për këtë fenomen duke ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të territorit nga duart e këtij soji kryebashkiaku që tjetër thotë e tjetër bën”,mbylli fjalën e saj Shkjau.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





