PEKIN, 25 prill 2013 –Partia Socialiste e Shqipërisë synon të thellojë edhe më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë të mira me Partinë Komuniste të Kinës, theksoi sekretari për programin Ilir Beqja, pas pjesëmarrjes në forumin e partive politike, Evropë-Kinë.
Duke folur për Radion e Jashtme të Kinës, Beqja tha se Partia Socialiste dëshiron që marrëdhëniet shumë të mira partiake të reflektohen edhe në nivelin e qeverisjes kur socialistët të vijnë në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në forumin e partive politike u theksua se “nga bashkëpunimi Evropë-Kinë, mund të dalin fitues të gjitha palët”, theksoi Beqja, duke shtuar se nëse çdo palë shikon avantazhin e saj, atëherë bashkëpunimi do të jetë më i frytshëm.
Forumi i 4-t Ndërpartiak Kinë-Evropë u mbajt në qytetin Suzhou të provincës Jiangsu të Kinës jugore.
Zhao Lei, drejtori për Çështjet e Evropës Lindore u tha gazetarëve se shkëmbimet ndërpartiake janë bërë një platformë të re për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh.
Në forumin që u hap të hënën, marrin pjesë përfaqësuesit partiakë nga vende të Evropës Qendrore e Lindore si ata të partisë polake SLD dhe të PSL, të Partisë Socialiste nga Çekia, Partia Liberale dhe ajo Social-Demokrate nga Rumania, gjithashtu edhe Ilir Beqja nga PS-ja dhe Luan Rama nga LSI-ja e Shqipërisë, njoftoi Radioja e Jashtme e Kinës.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





