TIRANE, 27 mars 2013– Partia Socialiste, përmes deputetes Mimi Kodheli, i ka bërë edhe një herë thirrje mazhorancës, që mbështesë nismën e saj për të hequr taksën e sheshtë. Sipas Kodhelit, kjo taksë e ka rrënuar më tej buxhetin e familjeve shqiptare. 

“Taksa e sheshtë, që qeveria e ka mbrojtur, ka patur një ndikim negativ në buxhetet familjare të shqiptarëve.  Ajo i ka rrënuar së tepërmi buxhetet e familjarëve, që duhet të përballen edhe me rritjen e çmimeve. 

Një infermier paguan sot më shumë taksa se kryeministri, ministrat apo deputetët. Prandaj ne kërkojmë nga qeveria ta zëvendësojë taksën e sheshtë me një mënyrë të ndershme taksimi, që do të mund të përfitojnë 95 % e  shqiptarëve” tha Kodheli.

Kodheli shtoi se pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, kryeministri i vendit do të paguajë më shumë taksa se sa paguan ai sot. 

“Falë një taksimi të ndershëm, 95 % e shqiptarëve do të përfitojnë.  Një polic i thjeshtë do të marrë 408 mijë lekë më shumë, do të marrë një rrogë e gjysmë më shumë në vit. 

Pas 23 qershorit, Edi Rama si kryeministër, do të paguajë më shumë taksa. Pas 23 qershorit ai do të paguajë 2 milionë lekë taksa më shumë se nga ato që paguan sot kryeministri.

PS fton mazhorancën ta mbështesë propozimin, pasi nga ky propozim do të përfitonte shumica dërrmuese e shqiptarëve”, përfundoi Kodheli.