TIRANE – Tre deputetët e PS-së, Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni morën pjesë për herë të parë në seancën e radhës në ngarkim të tre pjesëtarëve të Gardës, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe vrasje, Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume. 

Deputeti Sajmir Tahiri shprehu indinjatën për zvarritjen e procesit si dhe paralajmëroi një ndjekje të detajuar të seancave të mbetura, për të denoncuar çdo shkelje, që sipas tij mund t’i bëhet gjykimit. 

“Ju kujtoj këtu që në këto dy vjet askush nuk është dënuar, as nga ekzekutorët dhe as nga ata që kanë dhënë urdhër për atë që ndodhi në 21 janar. Ne do ta ndjekim nga shumë afër këtë proces, duke mos toleruar në asnjë rast transparencën dhe evidentimin e shkeljeve që mund të ndodhin. Drejtësia do shkojë në vend për të gjithë.”- deklaroi Tahiri. 

Në seancën e sotme janë paraqitur dy ekspertët e zgjedhur nga gjykata, Gani Jahelezi dhe Dritan Zoto të cilëve iu është lënë detyrë nga gjykata t’i përgjigjen një pyetje të Prokurorisë, e cila kërkoi të dijë nga ana ekspertëve se duke u nisur nga forma, pesha dhe madhësia e copëzave të drurit, a mund të vërtetohet se këto copëza janë depozituar nga predha në rrobat e Ziver Veizit, gjatë trajektores së lëvizjes. 

Ndërsa Genc Gjokutaj, avokat mbrojtës i ish-shefit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi shprehu pretendimin se provat që u vihen në dispozicion ekspertëve nuk janë paraqitur as nga akuza, as nga ana e mbrojtjes. Gjokutaj kërkoj që të zbatohej rruga procedurale e mbërritjes së provave.