Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është përfshirë nga debate të nxehta ditën e sotme, ku sipas burimeve mediatike nuk kanë munguar përplasjet mes kryetarit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi. Kryeministri ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj Blushit, duke i thënë: “Ke dy vite e gjysmë që shpif, ja ku jemi, më thuaj se cilët janë kriminelët e PS që ke cituar në media?”

Sipas të pranishmëve, protagonistët kanë kaluar edhe në fyerje ndaj njëri-tjetrit, ku kanë marrë shkas edhe nga incidenti i ndodhur në Elbasan të premten e shkuar, ku Blushi është ftuar të dalë jashtë pasi nuk po ndjek linjën e partisë.

Blushi: Incidenti në Elbasan e ka burimin nga selia e PS

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, në një deklaratë për mediat, deputeti Ben Blushi ka folur për incidentin e ndodhur në Elbasan. Ai ka deklaruar se PS duhet të distancohet nga dhuna. “Duhet të pyesni zotin Rama se çfarë mendon për rastin e Elbasanit. Ngjarjet e Elbasanit e kanë burimin në selinë e PS. Kjo nuk është çështja ime, është çështje e një partie që duhet të distancohet nga dhuna. Në Elbasan pati shenja dhune dhe PS duhet të distancohet”, tha deputeti socialist.

Për sa i përket ndryshimeve në statut Blushi deklaroi se një statut që heq të drejtën e votimit, nuk qëndron.

Taulant Balla reagon: Situatën e acaroi Blushi

Menjëherë pas deklaratës së Blushit nga selia e PS-së, ka reaguar nënkryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, i cili deklaroi se çështja e marrë në shqyrtim pas kërkesës nga deputetet Hafizi e Dade,  “është më shumë një kompetencë e asamblesë së Elbasanit sesa një kompetencë e jona”.

Balla shtoi mes tjerash se ishte Blushi ai që e acaroi situatën në Elbasan dhe se përpara interesit për një karrige, duhet të vendosë interesin e qytetarëve

“PS kishte një kërkesë të dy kolegeve lidhur me një shqetësim të tyre, por u vlerësua nga ana e kreut të Grupit Parlamentar Gramoz Ruçi, që kjo çështje që më shumë se kompetencë e asamblesë së Elbasanit, – tha Balla. – Ajo që mori më shumë vëmendje në mbledhjen e sotme, ishte kërkesa dhe shqetësimi i anëtarëve të grupit që Ben Blushi i ka quajtur kriminel. I kërkuam zotërisë në fjalë se kush janë këta deputetë që sipas Blushit janë me precedentë, por ai nuk shprehur asnjë emër”.

Balla e krahasoi gjuhën e përdorur nga Blushi me atë të Partisë Demokratike: “Gjithë kjo sintoni mes Blushit e SHQUP-it është për të ardhur keq. Ne nuk duhet t’i fyejmë sallat nga ku zgjidhemi dhe duhet të kuptojmë mirë mes halleve që kanë ato salla dhe karrigeve që duam, – shpjegoi deputeti socialist. – Ne jemi një parti shumë demokratike, sepse ne, në respekt të rregullave të kësaj partie morëm në shqyrtim kërkesën e dy kolegeve tona. Sa i takon ngjarjes javën e shkuar, unë besoj se ishte Blushi ai që e acaroi situatën në Elbasan”.

Marrë nga gazeta "Shqip"