Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Toni Gogu në një dalje për mediat i bëri thirrje drejtësisë që të nisin hetimin për deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi pas akuzave ndaj saj për lidhjet me oligarkët rusë.
“Deputetja në Kuvendin e Shqipërisë ka dhënë dhe ka marrë me kompani që kanë sponsorizuar Putinin, që ka gjakosur Ukrainën. Dokumentet janë një provë e qartë për lidhjet me influencën ruse në rajon dhe Europë. Inteligjenca perëndimore zbuloi se i ka përdorur të gjitha mjetet , për të minuar demokracitë në Europë. Këto dokumente që tregojnë se Kryemadhi ka bërë transaksione, janë kambanë e fortë alarmi për sigurinë kombëtare të vendit. E dimë se qëllimi i Rusisë është që të krijojë front pro-rus në Ballkan.
Pagesa të tilla, si ato financimet 500 mijë dollarë në PD, tregojnë vulnerabilitetin Shqipërisë dhe tregojnë se lidhjet e errëta ruse në Shqipëri dhe rajon janë vendosur. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që sot të shqetësohemi të gjithë. Shqipëria është aleat i vendeve që sot po ruajnë integritetin territorial të Ukrainës. kryemadhi duhet të përgjigjet për disa pyetje. Pse s’i ka deklaruar këto pagesa? Çfarë lidhje ka zonja kryemadhi me oligarkët rusë që janë sponsor të partisë së Putinit. Si mundet bashkëshortja e ish-presidentit të ketë llogari offshore?! Si mund të jetë një politikane e zhytur në të tilla gjëra?!Si mundet të jetë normale anashkalimi i përgjegjësive kur cënohet siguria kombëtare. Këtë e bën Kryemadhi dhe bashkëshorti i saj për të gjitha akuzat ndaj aleatëve, dhe i bëjnë karshillëk organeve të drejtësisë. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese të nisin hetimet mbi këto pagesa të dyshimta. Prokuroria nuk mund të ecë, pasi është cënuar siguria kombëtare”, tha Gogu.
Kryemadhi akuzohet nga Partia Socialiste për financime dhe pagesa të dyshimta nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës.