Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Socialiste, Eridian Salianji ka depozituar kërkesën në KQZ, me anë të së cilës kërkon marrjen e masave nga ky institucion për kandidatin e “Bashkë Fitojmë” në Elbasan, Luçiano Boçi.
PS pretendon se me anë të deklaratës për shtyp të Boçit, në mënyrë të përsëritur gjatë ditës së votimit, ka thyer heshtjen zgjedhore, pasi solli në vëmendje programin e tij elektoral teksa ju bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime.
Në shkresë, PS i kërkon KQZ-së që të marrë masa për të dënuar shkeljen e Kodit Zgjedhor nga kandidati i “Bashkë Fitojmë“ për Elbasanin, Boçi.
“Në deklaratën për shtyp, të bërë drejtpërdrejtë gjatë ditës së sotme, datë 14 Maj 2023, rreth orës 16:00, konstatojmë se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet vendore z. Luçiano Boçi ka shkelur nenin 77 të Kodit Zgjedhor duke lidhur apelin për pjesëmarrje në votim me premtimet elektorale të bëra edhe gjatë fushatës. Nisur nga sa më sipër, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt zgjedhor në përputhje me standardet e legjislacionit në fuqi, lutemi të merrni masat në zbatim të nenit 174 të Kodit Zgjedhor për të dënuar këtë shkelje dhe për të garantuar mospërsëritjen e saj në vijim“, thuhet në shkresë.