Ish-kryetari i Partisë Socialiste për Durrësin dhe njëkohësisht një nga figurat qendrore të kësaj force politike deri një dekadë më parë, tregon se si u krijua dega e PS-së në Durrës. “Ishte vetë Fatos Nano që konfirmoi faktin se unë do të drejtoja PS-në”, kujton Bardhyl Agasi, duke shtuar se ishte një kohë kur njerëzit e shikonin me armiqësi partinë që konsiderohej si trashëgimtare e PPSH-së. “Mbaj mend që në fillimet e para në Kavajë ne i bënim mbledhjet në natyrë ose, e thënë shqip, në ilegalitet. E njëjta situatë ishte edhe në Durrës, ku anëtarët e PS-së ndiheshin të stresuar dhe frikësuar.” Agasi kundërshton konceptin aktual të kryetarit socialist, Edi Rama, sipas të cilit nuk duhet të ketë më jetë partie

Z. Agasi, në ç’rrethana është krijuar dega e PS-së në Durrës?

Partia Socialiste ishte vazhdim i Partisë së Punës së Shqipërisë. Përderisa ishte përmbysur kjo parti dhe ishte përmbysur sistemi komunist, Partia Socialiste, duke mbajtur atë kontingjent të Partisë së Punës krijonte një farë mosbesimi te kjo forcë politike, duke u parë si vazhduese e Partisë së Punës. Në atë kohë nuk ishte e lehtë që të merrje drejtimin e PS-së dhe unë këtë e kam ndjerë personalisht. Ishin propozuar disa figura të cilët nuk pranuan që të jenë në krye të degës së PS-së në Durrës. Unë personalisht u binda të merrja përsipër këtë detyre, i ndikuar dhe nga disa miq të mi që militonin në PS. Faktikisht ishte vetë Fatos Nano që konfirmoi faktin se unë do të drejtoja PS-në. Ai personalisht më thirri për takim dhe të them të drejtën ndjeva pak ndrojtje, pasi unë kisha qenë thjesht një drejtor teatri dhe të takoje Fatos Nanon nuk ishte një gjë e zakonshme dhe njëkohësisht ishte shumë vlerësuese. Mbështetja që më dha më inkurajoi që të merrja përsipër një detyrë të vështirë, siç ishte organizimi i strukturave të degës së PS-së në Durrës. Është interesante që në mbrëmjen e asaj dite kur TVSH dha lajmin e emërimit tim, disa më uronin dhe disa më këshillonin se nuk kisha bërë mirë në një situatën e vështirë të atyre ditëve. Kujtoj se ato ditë disa prej qytetarëve të Durrësit, miq dhe shokë të mi që unë i respektoja, mbanin një farë ftohtësie. Në fakt unë kisha oferta edhe nga Partia e Punës, por unë nuk pranova që të jem një nga drejtuesit e kësaj force politike në Durrës. Te PS hyra se ishte një parti e re që më pas do të bëhej një thesar për demokracinë shqiptare.

 

Mbaj mend komitetin e parë drejtues të PS-së… Ishin figura mjaft të përgatitura, mjaft të njohura dhe me reputacion në qytet. Mund të përmend emra të tillë si Sadete Çuçi një nga pedagoget më të mira në Durrës, po kështu dhe Eqerem Shehu që kish qenë përgjegjës, Jetgjat Todi që pavarësisht se vinte nga Partia e Punës ishte një ndër figurat e respektuara dhe një nga juristët më të mirë që kishim, Hajri Shehu një nga juristët më me përvojë në qytetin e Durrësit, Miri Hoti një nga mjekët dhe qytetarët më të nderuar në Durrës, Iliriana Kërçuku, mjeke e nderuar, Leonidha Gjermeni, Kujtim Kumbaro, Hëna Muço, Alqi Kadenasi, Josif Sallaku, Veziko Kerraj, Lida Kuqi, Hajrie Curridhe shumë figura të tjera që e kishin përqafuar me devotshmëri PS-në

Cila ishte sfida me të cilën përballej dega e PS-së në atë kohë?

Durrësi në atë periudhë ishte akoma dhe më i vështirë pasi organizatat e degës së PS-së së Durrësit në fillimet e saj përfshinin dhe Rrogozhinën, Kavajën, Shijakun etj, që në atë periudhë të emocioneve të forta e shikonin formimin e organizatave të PS-së me sy të shtrembër. Të mos harrojmë që Kavaja ishte një nga djepet e demokracisë shqiptare ku kishte filluar lëvizja antikomuniste dhe të krijojë PS-në edhe në Kavajë do të ishte shumë e vështirë. Mbaj mend që në fillimet e para në Kavajë ne i bënim mbledhjet në natyrë ose, e thënë shqip, në ilegalitet. E njëjta situatë ishte edhe në Durrës, ku anëtarët e PS-së ndiheshin të stresuar dhe frikësuar. Tani këto gjëra duken si pa kuptim, por atëherë ishte një kohë dhe realitet tjetër. Në zgjedhjet e marsit të vitit 1992 ne nuk kishim komisionerë në qendrat e votimit, kaq e vështirë ishte që të krijoje një bindje që kjo do të ishte vërtetë një parti e re dhe që do të shkëputej gjithnjë dhe më tepër nga Partia e Punës.

Me cilët njerëz u ngrit dega e Partisë Socialiste në Durrës?

Ne kemi kontaktuar një për një me njerëzit. Unë gjeta në PS Spartak Brahon që më inkurajoi që unë të punoja në drejtimin e PS-së. Mund të them se e kam patur një ndër bashkëpunëtorët më të mirë në detyrën e sekretarit organizativ të degës. Mund të përmend Zihni Beqirajn që kishte reputacion në Durrës si një nga ish-përgjegjësit e seksionit të arsimit të Durrësit. Ne u bëmë promotor i një lëvizjeje për të grumbulluar sa më shumë njerëz rreth vetes. Dua të them se në Partinë Socialiste mbetën njerëzit më të ndershëm të Partisë së Punës. Këtë e them me bindje, pasi ata që ndoshta kishin përfituar nga Partia e Punës ikën u trembën dhe disa në mënyrë demonstrative dhanë hapur dorëheqjen nga PS-ja. Mbaj mend komitetin e parë drejtues të PS-së, i cili mund ta them pa frikë se duhet ta kenë zili për nga përbërja dhe vlerat intelektuale që kishte edhe këto aktualët. Ishin figura mjaft të përgatitura, mjaft të njohura dhe me reputacion në qytet. Mund të përmend emra të tillë si Sadete Çuçi një nga pedagoget më të mira në Durrës, po kështu dhe Eqerem Shehu që kish qenë përgjegjës, Jetgjat Todi që pavarësisht se vinte nga Partia e Punës ishte një ndër figurat e respektuara dhe një nga juristët më të mirë që kishim, Hajri Shehu një nga juristët më me përvojë në qytetin e Durrësit, Miri Hoti një nga mjekët dhe qytetarët më të nderuar në Durrës, Iliriana Kërçuku, mjeke e nderuar, Leonidha Gjermeni, Kujtim Kumbaro, Hëna Muço, Alqi Kadenasi, Josif Sallaku, Veziko Kerraj, Lida Kuqi, Hajrie Curridhe shumë figura të tjera që e kishin përqafuar me devotshmëri PS-në. Të më falin shumë e shumë figura të tjera të cilat nuk i përmenda për arsye kohe dhe memorie të çastit. Duhet theksuar fakti se Partinë Socialiste atëherë e mbajtën veteranët, që ishin bërthama kryesore e PS-së. Vitet kanë kaluar. Kanë kaluar 21 vjet. Shumë prej tyre tani nuk janë më të gjallë, por mbeten figura të respektuara. Shumë të tjerë janë pensionistë. Më duket sikur pak bëhet për vlerësimin e tyre. Për këta njerëz kujtohemi vetëm nëpër fushata kur kemi nevojë dhe pastaj sikur i harrojmë këta njerëz. Unë shikoj në rrugët e qytetit të Durrësit njerëz që kanë dhënë vërtetë kontribut në vite dhe që sot për fat të keq nuk i njeh njeri fare.

Sa ka ndryshuar dega e PS-së së Durrësit nga dje në sot?

Përsa i përket ndryshimit në organizimin e degëve të PS-së, mendoj se ndryshimi është shumë i madh, sepse janë kushte të tjera. Atëherë ishte një organizim i përsosur pasi, jo vetëm që krijuam organizatat bazë të partisë në fshatrat dhe qytetet që mbulonim, por kishte dhe një jetë aktive partie. Çdo organizatë partie ndërtonte planin e punës, programin mujor të punës që ia paraqiste komitetit drejtues të PS-së në Durrës. Tani PS-ja si një partie elektorale ka një koncept tjetër. Vetë kryetari aktual, Edi Rama, në një takim që pati në një lagje të qytetit të Durrësit, tha se nuk ka pse të ketë jetë partie. Ky ishte një gabim fatal që çoi më pas dhe në ato rezultate zhgënjyese të PS-së. Jeta e partisë duhet të jetë e vazhdueshme, pasi solidariteti me njerëzit i mban afër ato gjatë të gjithë kohës dhe jo vetëm kur është interesi elektoral. Po ju marr një shembull të një vendi perëndimor. Në Danimarkë kishte klube partie ku familjet bashkoheshin me njëra-tjetrën. Nuk diskutoheshin vetëm probleme partie, por edhe probleme familjare. Pra edhe në partitë europiane ka jetë partie në një vizion më bashkëkohor. Gjithsesi duhet thënë se kohët e fundit ka një përpjekje dhe nga Asambleja Kombëtare e PS-së për të pasur një organizim sa më të mirë të partisë.

Sa idealiste ka qenë dhe është PS-ja?

Nuk dua ta përmend për referencë aktuale , por Hygoi i madh thoshte se në fillim janë idealistët, pastaj vijnë batakçinjtë. Unë nuk do ta pranoja këtë plotësisht, por ka dhe batakçinj që kanë ardhur në PS. Idealizmi në të vërtetë ka humbur, jo vetëm te PS-ja, por te të gjitha partitë tona. Shikoni se si i ndërrojnë karriget, duke kaluar sa te njëra forcë politike te tjetra. Njerëzit tani bëjnë llogaritë e tyre dhe nëse nuhasin se PS-ja vjen në pushtet, të jeni të bindur se i afrohen PS-së. Po kështu, nëse e dinë se PD-ja do ta mbajë pushtetin, nuk i shkëputen PD-së. Tani është bërë me llogari ose, e thënë troç: Politika është bërë pazar interesash.