TIRANË-Partia Socialiste është shprehur sot se vajza e kryeministrit me zyrën e saj të avokatisë nuk ka shmangur konfliktin e interesit që krijoi me detyrën e të atit, kryeministrit Sali Berisha. 
Deputeti Eduard Shalsi e bëri këtë deklaratë referuar cështjes së biznesmenit pakistanez, Ansar. Por, vajza e kryeministrit ka reaguar menjëherë duke përmendur se investimi i biznesmenit pakistanez ishte privat, bëhej në tokë shtetërore, ndaj nuk përbën asnjë konflikt interesi. 

Sipas Shalsit, vajza e kryeministrit nuk duhet të jetë në konflikt interesi me funksionin që kryen kryeministri teksa ushtron veprimtarinë me zyrën e saj ligjore. 
“Dje e bija e Sali Berishës pohoi qartazi se “PO!”, e kishte takuar biznesmenin Ansar duke u shpjeguar se e paska kërkuar ai dhe se çdo veprim i zyrës së saj ligjore na paska qenë privat. Natyrisht, që në demokraci është e drejta e gjithkujt të bëjë biznes. Dhe nga kjo e drejtë nuk mund të përjashtohen as fëmijët e Kryeministrit dhe as fëmijët e atyre që ushtrojnë funksione dhe detyra publike. Por, ka një veçanti për këtë kategori njerëzish, aktiviteti dhe bizneset e tyre nuk duhet të jenë në konflikt me funksionet që kryejnë baballarët e tyre. Madje, duhet të shërbejnë si shembull për të ndjekur standardet më të larta për të shmangur çdo lloj konflikti midis interesit personal dhe detyrës publike. Këtë duhet të dijë e bija e Sali Berishës përpara se të kryejë çdo lloj aktiviteti privat”, tha Shalsi.

Sipas Shalsit, Argita Malltezi ka përdorur zyrat e shtetit për të siguruar klientët. 
“Pranimi i çdo negocimi dhe aq më keq akoma i çdo pagese nga biznese, për aktivitetet e të cilëve, kërkohet aprovimi i Kryeministrit janë – akte të pastra konflikti interesi. Të inkurajosh klientët e studios tënde të zhvillojnë biznese mbi bazën e informacionit që ti posedon, të përdorësh informacionin e zyrave të shtetit për të përzgjedhur klientët e firmës tënde ligjore, të kontaktosh biznesmenë dhe t’u ofrosh mundësi investimi për shkak të pushtetit që babai yt ka, këto nuk janë veprime private, por akte të pastra konflikti interesi dhe si të tilla të dënueshme. Për të bijën e kryeministrit nuk duhet të mjaftojë të bëhen publike të ardhurat, pra sa fiton, por edhe si i fiton ato në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të shohin dhe të gjykojnë se cilët janë klientët e saj dhe nëse kanë përfituar apo jo nga vendimet e qeverisë që drejton i ati i saj”. 

Argita Malltezi 

“Në përpjekjet e tij për të mbuluar shkeljet flagrante të ligjit, me vendimet e marra në konflikt interesi për lëshimin e lejes së ndërtimit të pallatit 5 katësh të bashkëshortes së tij Lindita Basha, leje të lëshuara në kundërshtim me nenin 62 të ligjit “Për urbanistikës” për një ndërtim në një shesh midis pallateve, me qëllim për të zhurmuar deklaratat e ndërtuesve të Tiranës, të cilët haptas e kanë akuzuar se u ka kërkuar miliona euro në shkëmbim të vendim-marrjes së tij publike për lëshimin e lejeve të ndërtimit, Z.Rama ka lëshuar arsenalin e tij me shpifje dhe spekulime ndaj aktivitetit tim privat avokator të 6 viteve më parë. 

Z.Rama, bëhesh qesharak kur kërkon t’i shpëtosh transparencës publike duke krahasuar veprimtarinë time legjitime avokatore private me vendim-marrjen tënde publike. Cdo shqiptar e di se midis tarifave të mia avokatore të vendosura sipas ligjit mbi avokatinë dhe denoncimeve për gjobvënie në pozicionin e kryetarit të bashkisë nuk ka asgjë të përbashkët. Biznesmeni në fjalë, si dhe cdo aktivitet tjetër në të cilin jam angazhuar, ka qenë mbi investime me fonde private dhe jo me fonde shtetërore; toka e ofruar ka qenë private dhe pronari sigurisht që e vendos vete çmimin sipas tregut. Të gjitha të ardhurat e mia janë të deklaruara, transparente dhe të tatuara konform ligjeve në fuqi. 

Qartazi Z.Rama, mungesa juaj e vizionit politik ju rrëzon cdo ditë në llumin e shpifjeve dhe sulmeve të rëndomta. Riciklimi i përsëritur i tyre pas katër vitesh do t'ju cojë në të njëjtin përfundim, humbjen, të cilën nuk keni ditur kurrë t’a përballoni me dinjitet".