TIRANE, 25 gusht 2013 – Zhbërja e vendimit që i hap rrugën dhënies me koncesion të portit të jahteve në Durrës do jetë një nga vendimet e para që do të marrë qeveria “Rama”, me nisjen e punës në shtator.
Lajmi u konfirmua sot nga selia rozë, ku nëpërmjet deputetes Ermonela Felaj, PS akuzoi qeverinë në ikje se po merr vendime që bien ndesh me votën plebishitare dhe votën e popullit. PS i bën thirrje organit të Prokurorisë për të nisur çështjen dhe hetimet për grabitje të pronës publike.
"Edhe pse përmes një vote plebishitare shqiptarët zgjodhën ndryshimin në zgjedhjet e 23 qershorit, qeveria në ikje ende vazhdon të ndërmarrë vendime të cilat bien ndesh me interesin publik dhe në të njëjtën kohë nuk plotësojnë vullnetin e popullit që u shpreh përmes votës. Jo më larg se në datën 19 gusht, Agjensia e Prokurimeve Publike ka shpallur fituesin e tenderit për dhënien me koncesion të Portit të Durrësit. Një tjetër tender, një tjetër koncesion, një tjetër plaçkitje e aseteve publike. Dhe mbi të gjitha, një proces aspak transparent, i nisur vetëm 3 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe i përfunduar pasi shqiptarët e kishin shprehur vullnetin e tyre për të dërguar qeverinë Berisha në opozitë. Mungesa e plotë e transparencës, por edhe periudha kohore kur ky proces u zhvillua, na bën të mendojmë se ky tender është një procedurë e pastër elektorale, e cila për ne është e papranueshme. Njësoj siç është e papranueshme vala e koncesioneve dhe privatizimeve të gabuara, në dëm të interesit publik, karakteristikë e 8 viteve qeverisje të Sali Berishës dhe një nga arsyet pse shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare kundër tij", deklaroi në një konferencë për shtyp, Ermonela Felaj.
“Ky vendim do të jetë një prej atyre vendimeve që do të zhbëhet nga qeveria e re qysh në mbledhjet e para të qeverisë. Por në të njëjtën kohë, dëshirojmë t’i bëjmë thirrje organit të prokurorisë për të nisur çështjen dhe hetimet për grabitje të pronës publike. Për ne pasuria kombëtare është aseti më i çmuar, që në asnjë rast e për asnjë arsye nuk mund të shpërdorohet në këtë formë”, përfundoi Felaj.
VENDIMI/Qeveria miraton dhënien me koncesion të portit të jahteve në Durrës
Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien me koncesion të një hapësire pranë Urës së Dajlanit në Durrës, ku parashikohet të ndërtohet një port jahtesh. Në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare, qeveria ngarkon Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit për zbatimin e këtij vendimi. Dokumenti qeveritar përcakton gjithashtu se koncesioni do të jetë i formës BOT, ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit. Porti do të jetë ngjitur portit të madh dhe në afërsi të kryqëzimit të rrugëve kryesore të vendit. Sa për tenderin për përzgjedhjen e kompanisë që do ta fitojë koncesionin, Këshilli i Ministrave i jep prioritet kompanisë "Adriatic Yachting Marina", së cilës i jep paraprakisht një bonus prej 8 pikësh në këtë garë. "Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e bonusit prej 8% të pikëve, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar), që i jepet subjektit 'Adriatic Yachting Marina'", përcakton dokumenti qeveritar.





