Deputeti i PS, Taulant Balla, në një konferencë për shtyp të mbajtur paraditen e së shtunës, ka denoncuar sërish rritjen marramendëse të pasurive të kryeministrit dhe të afërmve të tij.
“Pasuria e Berishës dhe të afërmve është rritur në mënyrë marramendëse. Gjendja ekonomike e shumicës së shqiptarëve është në përpjestim të zhdrejtë me atë të familjes Berisha. Vetëm familja e Berishës po pasurohet çdo ditë e më shumë”, ka thënë Balla.
Deputeti i majtë ka nënvizuar se deklaratat e pasurisë të bëra nga kryeministri dhe fëmijët e tij nuk justifikojnë në asnjë mënyrë pasuritë e akumuluara nga ata në vitet e fundit.
“Si ka mundësi që kur po bën formalizimin e ekonomisë, vetë Saliu ka 10 milionë lekë në shtëpi? Si ka mundësi që Argita merr 146 milionë lekë të vjetra nga mësimdhënia? Me çfarë biznesi është marrë djali i kryeministrit që ka fituar mbi 400 milionë lekë?”, është shprehur Balla, i cili ka paralajmëruar hetimin e këtyre aferave kur PS të vijë në pushtet.
“Në vend të përgjigjeve të këtyre pyetjeve, kemi marrë vetëm kërcënime që s’na trembim. Berisha ta dijë mirë se aferat e tij me gjyqtarët e korruptuar që i mbrojnë fëmijët do të zgjasë edhe për pak ditë”, ka thënë Balla.
“Shqipëria do të rilindë dhe do të mundësojë hetimin e pasurimit të personave në pushtet. Do hetohet edhe se si janë larguar nga Shqipëria 1.5 miliardë dollarë. Berisha bën mirë të mendohet për transparencën e pasurisë së vetë dhe të fëmijëve të tij”, ka shtuar deputeti i PS.