TIRANË-Partia Socialiste vlerësoi sot se kryeministri Sali Berisha ka vendosur të kopjojë keq programin e Partisës Socialiste.
Anëtarja e grupit të punës për Programin e PS, Milena Harito bëri të ditur në një konferencë për shtyp se me vendimin për heqjen e tatimit mbi fitimin nën 300 mijë lek rrogë, kreu i qeverisë vetëm sa kopjoi keq programin e PS.
“Dje Kryeministri njoftoi se ka vendosur të kopjojë, edhe pse keq dhe vetëm pjesërisht, programin e Partisë Socialiste – duke hequr tatimin mbi fitimin nga rrogat nën 30.000 lekë. Pak kohë më parë, Kryeministri kopjoi, keq dhe pjesërisht, një tjetër copë të programit të Partisë Socialiste, duke hequr TVSH për makineritë e importuara me vlerë mbi 500.000 euro.
Sipas Haritos, programi socialist ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve pavarësisht se Berisha, sic tha ajo, ka nisur të fusë emelentët e parë të taksës progresive.
“Por nga ana tjetër, kjo copëz e programit tonë për taksimin e ndershëm që kryeministri ka njoftuar se do ta përdorë për të arnuar sistemin e tij rrënues të taksës së sheshtë, merr një rëndësi të posaçme në debatin për taksat. Dhe jo sepse këtë debat qeveria e ka të humbur, pasi programi ynë i ri i taksimit ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por sepse humbjen e këtij debati tanimë e ka pranuar vetë kryeministri, duke futur elementin e parë të progresivitetit në sistemin tërësisht të pandershëm të taksës së sheshtë. Kështu e gjithë propaganda banale e kreut të qeverisë për gjoja taksën marksiste është diskredituar dje nga vetë kryepropaganduesi”.
Ndërkaq, Harito i bën thirrje Berishës që të taksojë dyfish pagën e tij.
“Por do të kërkojmë që kryeministri ta vazhdojë kthesën e tij, duke ulur shkallë-shkallë taksën e të gjitha pagave deri në 700 mijë lekë dhe sigurisht duke rritur dyfish taksën e rrogës së tij, të ministrave e të deputetëve. Sepse taksimi i ndershëm do të thotë kush fiton më pak të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë të paguajë më shumë. Ndërsa nëse ata që paguhen deri në 300 mijë lekë nuk do ta taksohen për pagën e tyre, ndërsa mësuesit apo policët do të vazhdojnë të paguajnë më shumë taksa se kryeministri, atëherë ky nuk është sistem i ndershëm taksimi po një lëmoshë elektorale”.