Bojkot dhe kundërshtim nga socialdemokratët për herë të parë ka shoqëruar mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak në Shkodër. Pas miratimit të 5 pikave të para të rendit të ditës, të cilat kishin lidhje me ndihmën ekonomike për banorët, qiranë e banesave sociale dhe strehimin emergjent të disa familjeve që kishin humbur shtëpitë, këshilltarët e Partisë Social Demokrate (PSD) u larguan nga mbledhja, duke e bojkotuar atë.
Ata argumentuan se miratimi i pikave të tjera ishte i paligjshëm, pasi ndodhemi në periudhë fushate elektorale. Po ashtu, edhe Partia Demokratike (PD) ka kundërshtuar këto vendime, duke e konsideruar të papranueshëm miratimin e tyre në këtë periudhë, duke e cilësuar atë si antiligjor.
Marina Duhani, këshilltare e PSD, tha: “Ne nuk e shohim vetën si patericë. Nuk mund të bëhemi pjesë e këtij votimi”. Pas largimit të socialdemokratëve dhe më pas edhe të demokratëve, mbledhja ka dështuar. Socialistët e kanë konsideruar sjelljen e kolegëve të tyre të papranueshme.
Një ndër pikat më të rëndësishme të dërguara për miratim në këtë mbledhje ka qenë ajo për menaxhimin e plazheve publike nga Bashkia Shkodër, veçanërisht për plazhin e Velipojës.