Porta kryesore e selisë së Partisë Socialdemokrate ka mbajtur të ndarë dy grupe brenda kësaj force politike. Nga njëri krah disa anëtare të PSD, të cilët kishin paralajmëruar mbledhjen e Këshillit Kombëtar, duke kërkuar edhe një mocion mosbesimi ndaj kryetarit, ndërsa në krahun tjetër, në brendësi të selisë, pas derës së mbyllur, qëndronte vetë kryetari Skënder Gjinushi me një pjesë të anëtarëve të Kryesisë së PSD.
"Janë bllokuar dyert nga kryetari i partisë dhe kemi ngelur jashtë ne anëtarët e Këshillit Kombëtar që kemi ardhur për mbledhje," – thotë Rustem Preçi, sekretar i përgjithshëm i PSD. "Ky është ilegjitim, nuk është kryetar më," – tha Flamur Haxhiaj, anëtar i Këshillit Kombëtar. "Tani, kush e mbështet këtë, nuk besoj se shteti, por segmente të caktuara e bëjnë këtë punë, e bëjnë këtë histori," – shprehet Muhamet Gaba, kryetar i degës së PSD nëTiranë.
Ndërkohë, Gjinushi e ka cilësuar këtë një tentativë të vetëm tre anëtarëve të Këshillit Kombëtar për të uzurpuar me forcë Partinë Socialdemokrate. "Janë vetëm të pakënaqur që kur u afrohet pushteti thërrasin vetëm unë dhe gjejnë metoda të shëmtuara, të papranueshme dhe antiligjore për të arritur qëllimin e tyre," – tha Gjinushi. Ai është shprehur i qetë për funksionimin e partisë, duke theksuar se askush nuk mund të krijojë probleme artificale në PSD.
Marrë nga Top Channel





