Unaza e martesës është një simbolikë e vërtetë e dashurisë. Por tradita e lidh atë edhe me simbolika të tjera si besnikëria, forca apo nënshtrimi.

Ndoshta tani traditat nuk i kemi edhe aq të qarta, por më parë respektoheshin me përpikmëri sepse lidheshin me besime të caktuara.

Në Romën e lashtë besohej se gishti i unazës ka një venë që lidhet drejtpërdrejt me zemrën, e cila njihej si “vena e dashurisë”. Pra, nëse dikush vendos unazë në atë gisht, praktikisht po tregon se zemrën e ka tashmë të zënë.

Por përse tani në disa kultura unaza e martesës mbahet në gishtin e majtë kurse në të tjera, në anën e djathtë?

Ne shqiptarët e mbajmë në anën e majtë, dhe besojmë se ka të bëjë me pozicionin e zemrës. Kurse në Romën e lashtë besohej se dora e majtë është e palumtur dhe nuk ofron mbështetje.

Në Indi ka një tjetër shpjegim lidhur me këtë: dora e majtë konsiderohet “e papastër”. Por sot, unazat mund të mbahen si në dorën e majtë, ashtu edhe në të djathtën.

Në Gjermani dhe Hollandë, çiftet mbajnë në anën e majtë unazën e fejesës ndërsa në të djathtën, atë të martesës. Kjo simbolizon ndryshim në statusin shoqëror.

Kurse në traditën hebraike, i fejuari vendos unazën në gishtin tregues të dorës së djathtë të të fejuarës. Pas martese, unaza vendoset në gishtin e unazës.

Vendosja e unazës në dorën e majtë është një traditë relativisht e re, që ka nisur në fillim të shek. 18. Një shkrim i vitit 1869 shpjegon se, zhvendosja e unazës nga dora e djathtë (dominante) tek dora e majtë (jo-dominante) e grave, është një shenjë respekti për burrin, që asokohe nuk mbante unazë.

Në vende si Libani, Turqia, Siria dhe Brazili, unaza mbahet në dorën e djathtë përpara martese dhe në të majtë pas martese.