Nga BESI BEKTESHI
Në këtë 70-vjetor të çlirimit të vendit, megjithëse jemi tani nga fundi, sepse dhe pak ditë kanë mbetur, momenti është i mirë për qetësi historike. Pse them qetësi historike?
Në fakt, e para është se e di qartë dhe mirë, se ne nuk do të qetësohemi kaq lehtë politikisht. E di, sepse kemi një gjatësi të madhe kohe në “acar politik” dhe ideologji të aplikuar me shumicë dhe shpesh herë rëndë.
E dyta, është se duhen disa dekada që të arrihet një balancë e mirë me të vërtetën historike, duke qenë se fitimtari është treguar ideologjikisht shumë më “fitimtar” dhe në historinë e shkruar.
E treta, politikisht jemi akoma “latantë” dhe për çështje akoma më të vogla se sa e vërteta historike e luftës çlirimtare dhe nacionale po të doni ti thoni. Pra, akoma nuk jemi mësuar të sillemi politikisht të denjë dhe të sinqertë me njëri tjetrin imtësisht dhe jo më me modelin kohor më të rëndësishëm të përçarjes politike dhe historike që është çlirimi i vendit. Edhe në disa mediume dhe takime ka akoma të “kapura” për beli dhe momente trysnie të tillë, që vetëm historia e zgjidh.
Por gjithsesi, mënyra më e mirë për të bërë një moment qetësie historike është dhe duhet të jetë në pikat ku nuk ka kundërshti të mëdha. E këto pika, nuk duhet të analizohen ose trajtohen historikisht po t’i bashkosh me kohën mbas 29 nëntorit 1944 dhe as me individët e rëndësishëm të luftës që pastaj vazhduan të jenë personazhet e rëndësishëm të mbas luftës dhe pushtetit që rrodhi mbas 29 nëntorit 1944.
Përndryshe po trajtove fakte të vitit 1943, duke pasur parasysh veprimet e viteve1960, 1970 apo më vonë, do të bëjmë një “histori ideologjike dhe diktature”, sepse që nga viti 1944, kur Partia Komuniste me anën Frontit Demokratik erdhi në pushtet, nuk janë persekutuar dhe internuar, apo burgosur dhe pushkatuar vetëm kundërshtarë të regjimit, por dhe shumë e shumë komunistë! E kjo është më se e vërtetë.
Një lloj qetësie historike duhet vënë po të kemi parasysh dhe veprojmë sipas logjikës së ftohtë të fakteve në kohën kur flasim me të mirat dhe këqijat e saj. Përndryshe asnjëherë nuk do të qetësohemi dhe gjithmonë do të jemi jo miq me idetë që i kemi së bashku, por që janë të ndryshme.
Gjithsesi, disa pika tashmë duhen pranuar nga të gjithë. Ato mund të jenë:
1- Në përgjithësi populli shqiptar dhe veçanti Fronti Nacional Çlirimtar u renditën nga krahu pozitiv dhe fitues i luftës së dytë botërore.
2- Shqipërinë edhe për shkak të frontit të madh të luftimeve dhe luftës çlirimtare brenda territorit nga shqiptarët, nuk e çliroi ose ndihmoi me trupa, asnjë ushtri dhe asnjë shtet i huaj.
3- Roli lidership dhe organizativ ushtarak sidomos mbas vitit 1943 i strukturave ushtarake partizane dhe pastaj reparteve akoma më të organizuara nga drejtimi politik i komunistëve, është njohur si nga britanikët, amerikanët dhe më vonë nga sovjetikët.
4- Numerikisht dhe ushtarakisht, formacionet partizane dhe Frontit Nacionalçlirimtar ishin mbizotëruese, më të organizuara dhe të shtrira në shumicën dërmuese të territorit shqiptar nga veriu dhe sidomos në jug.
5- Në datën 29 nëntor të vitit 1944, në qytetin e Shkodrës, njësitet partizane kanë hyrë duke parakaluar si fitimtarë në qytetin e madh të veriut të Shqipërisë.
6- Fronti Nacional-Çlirimtar i drejtuar sigurisht nga komunistët (nën emrin e Frontit) ishte i vetmi i organizuar në forma qeverisjeje vendore, të cilët rivendikuan pushtetin e tyre mbas datës 29 nëntor 1944.
7- Grupimet nacionaliste të Ballit Kombëtar, Legalitetit, dhe ndonjë grupim tjetër që realisht ishin me armë kundër pushtuesit, mbetën në tentativa dhe modele shumë të vogla luftimi dhe organizimi për tu konsideruar fitues moral dhe fizik mbi pushtuesit.
8- Bashkëpunëtorë të pushtuesit si atij fashist dhe nazist, u formuan realisht dhe vepruan gjatë këtij pushtimi dhe ato sigurisht nuk mund të trajtoheshin kurrë si modele të mirë dhe të qartë kombëtarizmi dhe patriotizmi.
9- Pjesë të vogla të shoqërisë shqiptare, e kanë “pranuar” në heshtje veprimin pushtues si të fashistëve dhe nazistëve për “hartën” e shpallur të territorit shqiptar nga ana e tyre, duke besuar në padrejtësinë e “ndrequr”, e cila kishte shekuj që kishte lodhur mendjet dhe zemrat e një populli nga veriu në jug.
Këto pika nuk ka pse t’i ndajnë historikisht shqiptarët dhe pse duken sikur anojnë nga komunistët. Në fakt, alergjia dhe pastaj dhe krimet e regjimit komunist, i cili sakrifikoi të gjithë shoqërinë shqiptare për të ashtuquajturat diktaturë të proletariatit dhe luftë të klasave, kanë përbërë një bazë dhe për ndarje historike e cila nuk ka pse të jetë kaq shumë e thellë.
Ne duhet të qetësohemi së paku historikisht këtë 70-vjetor, për të mos i bërë akoma më shumë vite dëm vetes tonë. Tanimë jemi 70 vite larg dhe duhet të jemi më të qetë historikisht dhe të pretendojmë të jemi dhe politikisht. Kjo do të na bënte një vend të qytetëruar. Mbase unë pretendoj shumë, mbase akoma duket utopi, por gjithsesi ka pika ku mund të jemi të gjithë bashkë.
/Sot, 7 nëntor 2014/





