*Taksa frenon biznesin, frenon pushuesit kosovarë!

Vendosja e taksës prej 10 eurosh vajtje-ardhje për Rrugën e Kombit, nuk është pritur aspak mirë nga qytetarët durrsakë. Një taksë e tillë e kundërshtuar masivisht dhe e pa konsultuar më herët me grupet e interesit që përdorin këtë rrugë, apo edhe me qeverinë matanë kufirit, si nyje lidhëse e Shqipërisë dhe Kosovës, ka shkaktuar mjaft reagim e zemërim në Durrës.

Vendosja e kësaj takse kalimi 5 euro në një rrugë, efektin pritet ta japë në disa drejtime. Në portin e Durrësit i cili ka edhe kontrolle të rrepta të kamionëve të mallrave, efektet janë ndier prej gjysmës së dytë të vitit të shkuar. Si bizneset e Kosovës edhe ato të Maqedonisë, zgjodhën portin Bar në Mal të Zi për të shmangur radhët dhe vonesat në këtë port. Vendosja e kësaj tarife qarkullimi pritet t’i largojë edhe më shumë bizneset kosovare nga porti, të cilat përveç se kalimin në port si biznes, e shikojnë edhe si detyrë patriotike. Sot kamionët e Kosovës protestuan duke u kthyer bosh, dhe kjo është një shuplakë e fortë për qeverinë shqiptare e cila në mënyrë të njëanshme pa asnjë konsultim por duke përligjur të drejtën e popullit vendos taksë për rrugën e cila është ndërtuar me paratë e këtij populli, i cili po paguan kredinë e marrë.

Specialistë por edhe përfaqësues të kompanive të biznesit në Shqipëri, nuk kanë dalë ende hapur për rezervat që kanë, sepse e dinë që zëri kundër vendimit të Edi Ramës, do të përkthehej në kundërsulm prej organeve e agjencive të shtetit. Përfaqësuesit e bizneseve në Shqipëri e dinë shumë mirë se kjo taksë do të thotë një betejë e humbur konkurrence midis portit të Durrësit dhe atij të Barit në Mal të Zi, sepse Durrësi është një “thërrime” e vogël e portit të Selanikut.

Vendosja e kësaj takse qarkullimi me ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e durrsakëve pritet të vërehet menjëherë sapo të nisë sezoni turistik.

Që në fillim të muajit prill, me ngrohjen e motit, fundjavat e ngrohta durrsake bëheshin edhe më të bukura për popullin e biznesin. Qindra automjete të Kosovës vërshonin në pikën kufitare e për dy orë përfundonin në plazhin e Durrësit.

Populli i plazhit dhe banorët e tij i hapnin dyert e dhomave me qira kundrejt 7 apo 10 eurove në natë, po aq sa është vendosur taksa e rrugës. Me qindra autobusë me nxënës shkollash e grupe të organizuara të institucioneve bujtnin për çdo fundjavë duke nisur prej pranverës. Por a do ta suportojnë kosovarët këtë tarifë për qarkullim në pjesën shqiptare në Rrugën e Kombit, e cila bashkoi dy popujt e ndarë, duke i bërë në një?

Hotelet por edhe të gjithë operatorët turistikë kanë ndrydhur buzët e nuk janë aspak dakord me këtë tarifë e cila frenon në masë të madhe ata të cilët e bëjnë turizmin në këtë vend duke sjellë para që në pranverë.

I humbur është çdo banor, e çdo biznes i vogël i plazhit në Durrës, e jo vetëm, por prej Shëngjinit, i cili ka pritur me padurim që t’i kthehen në shtëpinë e tyre familjet kosovare, ashtu si dallëndyshet e para të pranverës. Banori i plazhit shtëpinë ua hap me 7 euro në natë. Por a do ta marrin guximin kosovarët që 10 euro t’i paguajnë taksë në Rrugën e Kombit? Aq para i fitonte këtu banori i plazhit, i cili hap shtëpinë, një tjetër ka hapur një gjelltore, një dyqan ushqimor, një kafe e kështu me radhë. Nëse kosovarët nuk do të vijnë të gjithë, kjo armatë e biznesit të vogël por edhe familjet, që kanë investuar duhet të mbyllin aktivitetet.

Qeveria përpara se të falimentojë këtë target grup me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, duhet t’i vërë gishtin kokës, sepse më shumë se një taksë është tallje e madhe që iu bëhet kosovarëve, sepse ata vijnë në këtë rrugë.

Në vit më parë emigrantët kosovarë që jetojnë e punojnë në Europë, preferuan të shkonin në rrugë tokësore në Kosovë nga Italia në Kroaci apo edhe nëpërmjet Sebisë, sepse agjencitë e lundrimit që operojnë me Durrësin, rritën në maksimum çmimet e biletave në pikun e sezonit. Kur vjen puna për të paguar të gjithë ata që i fitojnë paratë me djersë e bëjnë llogarinë edhe me cent e jo me 10 euro.

Para se ata që e mbajnë gjallë ekonominë shqiptare në shumë drejtime të na lanë shëndenë, qeveria duhet t’i vërë gishitin kokës! Para interesit të dy kompanive që fitojnë nga kjo punë, Kastarit e Salillarit është interesi i vendit, i qytetarëve, i biznesit, i atij që fiton 7 euro në natë!

K.H.