Protesta individuale e 33-vjeçarit Orges Sinjoni, i cili bllokoi për disa minuta aksin rrugor Durrës-Shijak me vazo lulesh dhe kazanë mbeturinash, habiti jo pak banorët e zonës.
Megjithëse të gjithëve, banorëve dhe bizneseve u ka ardhur shpirti në majë të hundës me gjendjen tërësisht të amortizuar të këtij aksi ku prej 20 vitesh nuk vihet dorë, askush prej tyre nuk e kishte ndërmarrë deri më tani një akt të tillë.
Madje, edhe pse qëndruan të bllokuar për shumë minuta, drejtuesit e mjeteve e mbështetën tërësisht të riun, që jeton e punon prej vitesh në Itali, e që kishte ardhur për të qëndruar vetëm pak ditë në Durrës, për të marrë pjesë në funeralin e gjyshit të tij.
E ndërsa Orgesi e vuan në kurriz vetëm disa ditë në vit gjendjen e kësaj rruge, bizneset dhe banorët prishin çdo ditë mjetet e tyre nga rruga, asfalti i të cilës është tërësisht i shkatërruar, përgjatë gjithë gjatësisë së aksit rrugor.
Orges Sinjoni deklaroi në një intervistë për DurrësLajm se kishte marrë leje pranë komisariatit të policisë Shijak dhe po mblidhte firmat e banorëve dhe bizneseve të zonës për të protestuar sërish nesër (e enjte) për degradimin e aksit dhe indiferencën e shtetit për t’u garantuar qytetarëve një aks rrugor dinjitoz dhe jo një rrugë, që të kujton ato të fshatrave të thella.
Në të njëjtën gjendje me rrugën Durrës-Shijak ndodhet autostrada Durrës-Tiranë, apo dhe rruga e Ndroqit. Për këtë të fundit, banorët e fshatrave përreth realizuan një marshim proteste pak javë më parë, duke deklaruar të revoltuar se autoritetet vendore dhe qendrore nuk donin të dinin “nëse ata ishin gjallë, a vdek”.
Orgesi protestoi sot për një të drejtë qytetare, për të drejtën që gëzojnë qytetarët t’i kërkojnë shtetit sigurimin e shërbimeve elementare; rrugë dinjitoze, furnizim të rregullt me ujë e energji dhe dëgjimin e ankesave dhe ofrimin e zgjidhjeve nga pushtetarët për problematikat e tyre.
Orgesi jeton prej vitesh në Itali, e prandaj ia vret syrin kjo gjendje katastrofike. Por edhe neve që jetojmë këtu na e vret shumë syrin, por ndihemi të pafuqishëm apo indiferentë të kërkojmë, që para se t’i paguajmë këtij shteti taksat, të na garantojë shërbimet e domosdoshme për një cilësi jetese dinjitoze.
Rreth dy javë më parë, një tjetër durrsak ngriti zërin, këtë herë në Tiranë. Edhe ai nuk jetonte këtu, prej shumë vitesh ishte vendosur në Itali. Megjithëse nuk e lidhte asgjë me Rrugën e Kombit apo me kuksianët e ndaluar, ai ishte rreshtuar përkrah atyre që ndodheshin jashtë gjykatës së Tiranës, ku drejtësia do të thoshte fjalën e saj për të arrestuarit për protestën e dhunshme të banorëve të Kukësit, që dogjën dhe shkatërruan ambientet e ngritura nga koncesionari, pasi shteti u vuri traun me pagesë tek dera e shtëpisë.
Edhe ai denoncoi arbitraritetin e këtij shteti, që në vend që të mendojë në rradhë të parë për impaktin social që shkaktojnë tek qytetarët vendimet e qeverisë, vepron në fillim dhe më pas bën hapa prapa i trembur nga reagimi i fortë i popullit, që sheh dhunën si të vetmen armë për të depërtuar në veshët e shurdhët të ekzekutivit.
Të mësuar me standarte të tjera jetese në vendin fqinjë, dy qytetarët e Durrësit ngritën zërin duke kërkuar as më pak as më shumë po vetëm një standart jetese ndryshe edhe në vendin tonë, që aspiron t’i bashkohet familjes europiane.
Durrësi, qyteti i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri dhe porti më i rëndësishëm në vend, rrethohet sot nga një infrastrukturë rrugore e degraduar. Rrugët e përmendura më sipër janë nyjet kryesore të disa prej zonave me përqendrimin më të madh të biznesve, me një numër shumë të madh automjetesh që i përshkojnë çdo ditë, por që si për ironi të fatit nuk hyjnë në prioritetet e autoriteteve për të vënë dorë për rikonstruksionin e tyre!
Dhe durrsakët që vijnë nga Italia vijnë e na kujtojnë se duhet të ngremë zërin e t’i tërheqim veshin shtetit, kur bën shurdhin për problematikat e qytetarëve.
Orgesi ka thirrur nesër sërish një protestë një orëshe, këtë herë të ligjshme. Nëse nuk do të protestojë sërish i vetëm, Durrësi dhe Shijaku do të tregojnë se nuk u ka vdekur ende ndërgjegja qytetare!
M.B.