Pak para nisjes së seancës së sotme plenare, gazetarët e terrenit të mediave në vend janë mbledhur këtë mëngjes përpara Parlamentit në shenjë proteste për të kundërshtuar vendimin e Byrosë së Kuvendit që përjashton këta të fundit të marrin pjesë në mbledhjet e Komisioneve parlamentare.
Gazetarja Esiona Konomi ka bërë thirrje që iniciatorët të tërhiqen nga ky vendim, pasi kjo pengon punën e tyre, duke theksuar se misioni i saj është të transmetojë gjithçka që sheh vetë dhe jo atë që servir një institucion i caktuar shtetëror.
“Akreditimi do të thotë barazi për të gjithë. Do të thotë që dua t’i shoh vetë ato që transmetoj. Ndërkohë që ne me këtë vendim duhet të izolohemi. Kam marrë telefonata të ndryshojmë të anëtarëve të Byrosë që thonë se nuk kanë marrë pjesë në këtë, por ky nuk është faji ynë sepse ata mund të jenë duke gënjyer. Nuk dua të transmetoj diçka të kontrolluar nga një organ shtetëror. Dua të trajtoj gjithçka që shoh vetë. I bën thirrje maxhorancës që të tërhiqet. Kjo nuk është një betejë e imja personale, por për çdo gazetar që e ka këtë si punë dhe mision. Është për të gjithë ata që e besojnë fjalën e lirë.”
Gazetari Juxhin Mustafaraj ka bërë thirrje që institucioni i Kuvendit të heqë dorë nga kjo vendimarrje e pakonsultuar, që pengon punën e gazetarëve.
“Për ta bërë të qartë, Byroja ka marrë një vendimarrje. Këtu është vetëm finalja që deputetët vendosin sa i takon ligjeve. Byroja e Kuvendit ka vendosur që me një vendimarrje të pakonsultuar me gazetarët kanë vendosur që në një bodrum të Kuvendit të vendosen disa televizione përmes regjisë. Një tjetër vendim arbitra është se secili prej gazetarëve që kërkon të zhvillojë intervista duhet të marrë leje. Thirrja që ne si gazetarë i bëjmë Kuvendit është që të tërhiqet nga kjo vendimarrje. Ne kemi hartuar edhe një shkresë dhe presim që të kemi një reflektim.”
Gazetari Osman Stafa ngriti pyetjen se nga se kanë frikë deputetët që morën një vendim të tillë.
“Të gjithë e dimë që të bësh gazetari sot është shumë e vështirë, informacioni është centralizuar. Pse kanë frikë deputetët dhe cila është arsyeja pse është marrë ky vendim?! Kryesia e Kuvendit është i vetmi vend ku mund tu drejtojmë një mikrofon politikanëve.”





