Gazetari i vjetër durrsak Thanas Mustaqi, përmes një postimi në Facebook, i drejtohet me një pyetje disa prej arkeologëve më të njohur në vend.

Duke risjellë edhe njëherë në vëmendje dëmtimin e mozaikut romak tek Pallati i Sportit në Durrës (monument kulture që nga viti 1973) për shkak të ndërtimit të vilës së ish-kryebashkiakut të qytetit bregdetar, Miri Hoti, Mustaqi pyet Apollon Baçen, Fatos Tartarin, Gjergj Frashërin e Moikom Zeqon se pse kanë heshtur për atë që gazetari durrsak e quan (ri)varrosja e sitit arkeologjik.

"I pyes arkeologët e njohur e të respektuar Apollon Baçe, Fatos Tartari, Gjergj Frashëri, Mojkom Zeqo: pse keni heshtur për mozaikun tek pallati i sportit, teksa keni bërë protagonistin për një zonë afër portit dhe Torres?", shkruan Mustaqi.

Postimi i plotë i gazetarit Mustaqi:

(Ri)varrosja e sitit arkeologjik MOZAIKU TEK PALLATI I SPORTIT

I pyes arkeologët e njohur e të respektuar Apollon Baçe, Fatos Tartari, Gjergj Frashëri, Mojkom Zeqo: pse keni heshtur për mozaikun tek pallati i sportit, teksa keni bërë protagonistin për një zonë afër portit dhe Torres? A jeni dakord me kolegun tuaj Reshat Gega?

Arkitekti dhe restauruesi Reshat Gega ka shkruar mes të tjerave:
“MOZAIKU TEK PALLATI I SPORTIT, Durrës
I dëmtuar pothuajse i tëri nga ndërtimi i një vile të madhe [në vitin 2003], edhe pse ishte prej shumë kohësh [i shpallur monument kulture, kategoria I, në vitin 1973] i vënë në mbrojtje dhe i rrethuar me gardh metalik e me tabelën “MONUMENT KULTURE, MBROHET NGA SHTETI”.
Kush e ka dhënë lejen? Gjerak Karaiskaj.
Kur është ndërtuar? Kur ishte shefe urbanistike L. Miraj e drejtor i IMK A. Shkreli.
Projekti i kujt është? Nga Bashkia Durrës.
A ka reaguar Ministria [e Kulturës] apo IMK [Instituti i Monumenteve të Kulturës]? Asnjëherë.
Periudha kur u zbulua mozaiku tek Pallati i Sportit Durrës.
Arkeologu Vangjel Toçi e zbuloi, Prof. e arkeolog Gjerak Karaiskaj dha lejen e ndërtimit dhe e shkatërroi.
Vendi ku ndodhej mozaiku romak, tani mbi të është ngritur një vilë shumë e “bukur” e ish-kryetarit të Bashkisë Durrës”.

Info

Doktorant Msc. Arlind Kasa në dizertacionin “Durrësi romak: hapësira urbane dhe shoqëria”, Universiteti i Tiranës, fakulteti histori-filologji, departamenti i arkeologjisë dhe i trashëgimisë kulturore, Tiranë, 2017, shkruan:
“Në sitin arkeologjik… në afërsi të pallatit të sportit në Durrës u zbulua një ndërtesë me absidë. Absida ishte e dekoruar me mozikë polikrom, i cili për shkak të mos konservimit sot është i padallueshëm. Mozaiku i absidës ishte i dekoruar me motive floreale, ku shikohen qartësisht gjethet e akanthit [shih foton]. Korniza ishte e punuar me degëzime hardhish në formë valësh deti ku u gjet një mbishkrim në të cilin shkruhet MARTINI ose MARTINIA. Mbi mozaik u gjet edhe një tjetër mbishkrim ku shkruhej PROD OT/… T CUIUS/.OS/… UIT. Nuk u arrit të deshifrohej kuptimi i këtij mbishkrimi. Afër kësaj salle u zbulua një korridor me dysheme të shtruar me mozaik me motivet e meandrit. Mozaikët e ambjenteve të tjera të kësaj banese ishin të dekoruara me motive gjeometrike dhe luspash peshku [Anamali, S., Adhami, S., “Mozaikë të Shqipërisë (Album)”, Tiranë, 8 Nëntori, f. 12, fig. 21]. Si duket këto kthina duhet të kenë qenë pjesë e ndonjë banese romake të katit të parë të një blloku banimi. 
… Kjo strukturë është e datuar në shek. II-IV e.s. dhe gjurmët treguan se kemi të bëjmë me një banesë. Afër kësaj salle u zbulua një korridor me dysheme të shtruar me mozaik me motivet e meandrit. Mozaikët e ambjenteve të tjera të kësaj banese ishin të dekoruara me motive gjeometrike dhe luspash peshku”.