Argëtimi me biçikletat katër vendëshe është bërë mjaft i njohur në shëtitoren “Taulantia” në Durrës kryesisht në orët e vona të darkës. Por biçikletat që nuk janë të zakonshme, më së shumti pëlqehen nga të rinjtë të cilët nën efektin e adrenalinës kanë shkatuar jo rrallë herë edhe aksidente shumë të rënda.

Rasti më i fundit i përket dy netëve më parë, kur katër të rinj që ngisnin këto biçikleta goditën dy të moshuar, banorë të lagjes numër 1, të cilët ishin duke shëtitur me njëri-tjetrin buzë detit. Pasi i goditën, as nuk ndaluan t’iu jepnin ndihmën e parë por u larguan me shpejtësi.

Zonja e moshuar ra pa ndjenja dhe është dashur ndërhyrja e kalimtarëve të rastit të cilët mundën ta përmendnin pas minutave të tëra, ndërsa bashëkshorti i saj u dëmtua me fraktura në këmbë.

Këto mjete argëtimi të cilat shëtisin pikërisht aty ku lëvizin qytetarët e ku luajnë fëmijët, janë bërë “ankthi” i të gjithë atyre që shëtisin çdo mbrëmje në shëtitoren “Taulantia”. Në fillim të verës lodrat të cilat u konsideruan ilegale u hoqën nga lulishtja, ndërsa sapo nisi sezoni u vendosën prapë, madje edhe më të rrezikshme se të parat.

K.H.