Itali, 30 prill 2014 – Shqiptarët edhe në Itali nuk heqin dorë nga veset e këqia, që i manifestojnë aq shpesh në vendin tonë.
29 vjeçari Kreshnik Pecmarku, lindur në Tropojë dhe banues në Savona të Italisë, është përfshirë në një sherr me një shtetas italian për motive të dobëta.
Gjithçka nisi me shprehjen tipike prej të “forti” thënë nga Kreshniku: “Çfarë ke që më shikon ashtu?”
Një shok i italianit ndërhyn dhe e tërheq të riun larg Kreshnikut, por Pecmarku ndërkohë hap bagazhin e makinës dhe nxjerr një shkop bejsbolli. Me të ai godet në kokë italianin, që ndërhyri për të shuar sherrin.
Italiani përfundoi i përgjakur në urgjencë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Karabinierët e arrestuan në flagrancë Kreshnikun. Ai akuzohet për plagosje në rrethana rënduese, sepse për të kohë më parë kishte dalë një urdhër dëbimi nga territori italian.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





