Pas moshës 30-vjeçare, shumë çifte të suksesshme po zgjedhin rrugë të ndara. Njerëz me karrierë të konsoliduar, pavarësi ekonomike dhe reputacion publik nuk po hezitojnë të mbyllin marrëdhënie afatgjata. Por pse ndodh kjo? Ekspertët e marrëdhënieve dhe psikologët kanë një përgjigje të qartë: vetëdija për veten ndryshon gjithçka.
Ndarjet pas të 30-ave nuk janë më tabu. Ato po kthehen në një normë, sidomos mes atyre që kanë ndërtuar karrierë dhe nuk kanë më frikë nga vetmia apo stigmat sociale.
Psikologët thonë se “njerëzit e suksesshëm pas të 30-ave nuk tolerojnë më lidhje që i konsumojnë emocionalisht. Ata dinë çfarë duan dhe çfarë nuk pranojnë më.”
Sipas ekspertëve, këto janë arsyet kryesore që çojnë në ndarje:
- Rritja personale nuk përputhet më me partnerin – Me kalimin e viteve, secili ndërton identitetin e vet. Kur partneri nuk përshtatet, lidhja çahet.
- Karriera bëhet prioritet – Orë të gjata pune, presion, udhëtime, sfida. Marrëdhënia mbetet pas dore dhe humb thellësinë.
- Lidhjet e hershme nuk i rezistojnë kohës – Shumë çifte janë lidhur në moshë të re, kur nuk dinin as çfarë donin nga vetja. Ky ndryshim e shkatërron ekuilibrin.
- Mirëqenia emocionale është thelbësore – Të jetosh me dikë që s’të kupton apo s’të mbështet, pas një moshe, bëhet barrë e rëndë.
- Zgjedhjet janë më të shumta – Suksesi sjell vetëbesim. Njerëzit nuk pranojnë më më pak se çfarë meritojnë.





