Nga Ruth Graham
27shtator 2015– Të enjten më shumë se 700 persona gjetën vdekjen, pas një largimi me vrap të mijëra njerëzve jashtë qytetit të shenjtë të Mekës. Fatkeqësia ndodhi gjatë pelegrinazhit vjetor të Haxhit, që tërheq çdo vit rreth 2 milionë myslimanë në Arabinë Saudite. Edhe pse ky ishte episodi më vdekjeprurës i Haxhit në një çerek shekulli, kjo është një histori fatkeqësisht e njohur. Në Mina, ku ndodhi tragjedia e së enjtes, lëvizja e beftë e turmave vrau më shumë se 360 persona në vitin 2006, dhe 244 në vitin 2004. Në katrahurën më të rëndë gjatë Haxhit, 1.426 pelegrinë u shtypën për vdekje në një tunel për këmbësorë që të çonte në Mekë në vitin 1990.
Rishqyrtimi i sigurisë gjatë Haxhit
Në të gjithë botën, rrëmujat njerëzore janë aq të zakonshme – dhe aq shumë konfuze – sa kanë frymëzuar studime të shumta mbi sjelljen e turmës. Sipas një studimi të vitit 2010, të udhëhequr nga Edbert Hsu në Universitetit e Mjekësisë Xhon Hopkins, 215 tragjedi nga lëvizja kaotike e turmës janë rregjistruar në mbarë botën ndërmjet viteve 1980-2007, duke shkaktuar në total më shumë se 7 mijë të vdekur dhe 14 mijë të plagosur.
Largimet e rrëmujshme të turmave, janë vlerësuar si çështje të shëndetit publik, por edhe si një fenomen sociologjik. Të tjerë kanë ngritur pyetjen, nëse algoritmi i duhur mund të ndihmojë në identifikimin e turmës së rrezikshme, para se ajo të shndërrohet në vdekjeprurëse. Tubimet e mëdha fetare, përbëjnë një rrezik të veçantë për këtë dukuri në botën në zhvillim.
Për shembull, një raport në Indi në vitin 2013 zbulonte se 79 përqind e largimeve të rrëmujshme të turmave në atë vend, kanë ndodhur gjatë ceremonive fetare, në krahasim me ngjarjet politike apo të lidhura me argëtimin. Në vitin 2014, 178 persona u vranë në disa lëvizje të rrëmujshme, ndërsa numri vjetor i vdekjeve nga ky fenomen ishte 300, ose 4 herë më shumë sesa në dekadën e fundit.
Sipas studiuesit Hsu, lëvizjet kaotike vdekjeprurëse të turmave, janë të përqendruara në Azinë Juglindore dhe në Afrikë, si dhe në ngjarjet fetare. Por ato mund të ndodhin kudo, siç dëshmohet nga hyrja kaotike e turmës në një supermarket në Nju Jork, që shkaktoi vdekjen e një shitësi një të premte të vitit 2008. Me rritjen e popullsisë globale, kryesisht në qytetet tashmë të mbipopulluara, Hsu dhe ekipi i tij zbuluan në vitin 2010, se incidentet të tilla ishin në rritje.
Largimet e rrëmujshme janë joshëse për t’u studiuar, pjesërisht sepse ndonëse disi të zakonshme, ato janë edhe të paparashikueshme. Ja se si Xhon Sibruk i përshkroi ato në një artikull pikëllues në “The New Yorker” në vitin 2011: Kalimi nga afërsia vëllazërore tek presioni mbytës – “një turmë shtrydhëse “ –ndodh shpesh thuajse pa e kuptuar. Njeriu nuk e kupton se çfarë po ndodh, derisa është tepër vonë për të shpëtuar. Diçka e ndërpret rrjedhën e këmbësorëve – të themi një dalje bllokuar, një shkallë lëvizëse vazhdon të shtyjë turmën drejt një hapësire të mbyllur…
Në një pikë të caktuar, ju ndjeni presion nga të gjitha anët e trupit tuaj, dhe e kuptoni se nuk mund të ngrini lart as duart. Ju nuk komandoni më këmbët, ndërsa jeni pjesë e një blloku gjigand njerëzish. Turma thith me forcë ajrin nga mushkëritë tuaja, dhe ju luftoni për të kryer edhe frymëmarrjen e rradhës.
Për vëzhguesit e largët, tmerri i këtij fenomeni komplikohet nga fakti se është kaq e vështirë të dish se kush duhet fajësuar. Në Arabinë Saudite, Ministri i Shëndetësisë tha se incidenti i fundit, ishte pasojë e mosndjekjes së udhëzimeve nga nje pjesë e turmës, në një kohë që kreu i Komitetit Qëndror të Haxhit fajësoi “disa pelegrinë nga kombësi afrikane”. Por të tjerët vunë në dukje dështimin e qeverisë saudite për ta menaxhuar këtë aktivitet. (Kjo nuk do t’i ndihmojë pretendimet saudite për kompetencë, përderisa rënia e një vinçi disa javë më parë në Xhaminë e Madhe të Mekës, vrau 109 persona).
Diskutimi i tanishëm, i bën jehonë asaj që e përkufizon më së miri Sibruk:Shpesh turmat fajësohen për atë që në të vërtetë është dështimi i planifikimit dhe logjistikës. Ai zbuloi se artikuj e shtypit shpesh i cilësojnë lëvizjet e rrëmujshme si “në panik e sipër”, me një turmë të tërbuar që bën përpara, pa bërë asnjë lloj dallimi për atë që shkel.
Por një analizë e kohëve të fundit e fatkeqësive nga turmat, e cila u përqendrua në largimin e rrëmujshëm në vitin 2010 në festivalin muzikor “Love Parade” në Gjermani që shkaktoi 21 viktima, zbuloi se fatkeqësia kishte më shumë të bënte me fizikën sesa psikologjinë:”Video-incizimet treguan se njerëzit u stepën dhe u grumbulluan në një pikë për shkak për një “efekti domino”, që rezultoi nga një fenomen i quajtur “turbullirë e turmës”’ apo “tërmeti i turmës’.
Kjo ishte pasojë e përforcimit të reagimeve dhe efekteve, të cilat janë tipike për paqëndrueshmëritë sistemike. “Daljet e bllokuara, hapësirat e mbipopulluara, shërbimet e pamjaftueshme të sigurisë dhe emergjencës, përkeqësojnë rreziqet. Organizatorët e veprimtarisë, menaxherët, qeveritë, dizenjuesit, dhe subjektet e tjera, e mbrojnë fuqishëm veten nga pasojat e këtyre fatkeqësive.
Por turma, brutalisht aq shumë bashkëpunuese në një moment, rrallë flet në një unison të tillë më pas.
Dhe askush nuk do ta mbrojë atë, turma mund të personifikohet si e dhunshme ose memece. Edhe pse është e lehtë të supozojmë se lëvizjet kaotike, shkaktohen nga turmat në panik për shkak të frikës, Sibruk zbuloi se në përgjithësi, kjo ishte e vërtetë vetëm në rastin e zjarreve.
Në shumicën e tragjedive të tilla, turma është duke vrapuar drejt diçkaje. Në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, lëvizjet katoike të turmave janë më të rralla sesa në botën në zhvillim, dhe nuk kanë prirjen të ndodhin gjatë aktiviteteve fetare. Largimi i rrëmujshëm i amerikanëve dhe evropianëve, ndodh për shkaqe të tjera:shitjet me ulje në të Premten e Zezë, koncertet rok dhe ngjarjet sportive.
Asnjë person nuk vendos vetë të ikë në rrëmujë e sipër. Por në rast se ka një lidhje midis asaj që tërheq një turmë dhe atë që një shoqëri e ka për zemër, atëherë largimet e rrëmujshme të turmave, janë një ilustrim vdekjeprurës i këtyre vlerave.
“The Atlantic” – Bota.al