Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, përmes një vendimi të papritur lajmëroi se kishte shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas tij, Berisha ishte i përfshirë në korrupsion dhe ishte gati të mbronte veten, familjen dhe aleatët e tij politikë.
Por, përse erdhi tani vendimi për ish-kryeministrin shqiptar?
Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se Sekretari Antony Blinken ka në dispozicion informacion të besueshëm për përfshirjen në korrupsion të Sali Berishës.
I pyetur nga “Illyria”, gazeta shqiptaro-amerikane në New York, ai u shpreh se, Sekretari i Shtetit ka në dispozicion “informacion të besueshëm lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion të ndjeshëm dhe përpjekje për të ndërhyrë në proceset publike si dhe shpërdorim të fondeve publike në Shqipëri”.
Zyrtari në fjalë, i cili preferoi të mos identifikohej me emër, i tha gazetës se, “qeveria e Shteteve të Bashkuara po e bën të qartë se nuk do të angazhohet me individë të korruptuar si Berisha”, që të mos përfitojnë mbështetje dhe kredibilitet.
Ai e cilësoi ish-kryetarin e PD-së si “një individ për të cilin Sekretari i Shtetit është qartësuar se ka kryer akte korrupsioni në kurriz të popullit shqiptar.”
Vetë Sali Berisha, figura historike e Partisë Demokratike, tashmë i tërhequr nga drejtimi aktiv i partisë, është përgjigjur me një postim në “Facebook”, ku hedh poshtë akuzat, radhit sukseset e kohës kur ishte në krye të qeverisë, lavdëron miqësinë me Amerikën dhe fton Sekretarin që të tregojë me fakte korrupsionin e tij.





