Nga Ylli Rakipi

Edi Rama, ndoshta për herë të parë në jetën e tij, po përpiqet me të gjitha fuqitë që ka, të bëjë një punë të mirë.

I ndërgjegjshëm, se edhe pa koronavirusin, ai është në krye të një vendi copë copë, që kudo që ta kapësh të mbetet në dorë (të tillë e ka bërë së pari ai vetë, pa harruar edhe paraardhësit e tij), ai po bën sot një gjë të vërtetë.

Edi Rama është në krye të një vendi, pa institucione, me një sistem shëndetësor të nivelit zero, me një shtet të një niveli zhvillimi primitiv.

Kryeministri ynë i di të gjitha këto, ndaj sot po punon me një stërmundim të paparë, për të shpëtuar së pari veten dhe për pasojë edhe ne të tjerët, shtetasit e tij.

Edi Rama ka kyçur vendin në një shtet-rrethim absolut, me pamje nga më surrealet.

Dhe ka arsye të rëndësishme pse Edi Rama po e bën këtë gjë.

Së pari, ai po përpiqet të ngadalsojë sa të mundet përhapjen e infeksionit dhe së dyti, ajo çka është më e rëndësishmja, ai po përpiqet me të gjitha mënyrat, për të mos formalizuar kolapsin e plotë të vendit  dhe sidomos atë në shëndetësi.

Ky kolaps edhe pa koronavirusin, ishte dhe është prezent në çdo qelizë të këtij vendi, por Ramës i intereson vetëm, që ne të mos e shohim atë.

Përfytyroni për një çast, sikur në Shqipëri të kishte sot zyrtarisht të testuar, pesë mijë të infektuar. Përfytyroni, që një mijë prej tyre të ishin në gjendje më të rënduar dhe të kishin nevojë për ndihmë mjekësore, pra hospitalizim. Ku do të shkonin dhe ku do t’i sistemonte Edi Rama ata?!

Përfytyroni sikur 500 prej tyre të kishin nevojë për respiratorë, kur spitalet e Edi Ramës disponojnë vetëm një të tretën e tyre.

Këto janë arsyet që Edi Rama, ndoshta sot për herë të parë në jetën e tij, duke ditur gjendjen ku është shteti, na mbylli të gjithëve brenda, për t’u sëmurur më pak dhe mbi të gjitha, për t’u sëmurur me rradhë.

Dhe po u sëmurëm me rradhë, pak e nga pak, Rama mendon se shmang kolapsin e madh. Këtë ai e sheh si të vetmin shpëtim të tij.

Por, ç’rëndësi ka kjo gjë? Fakt është, se sot Edi Rama po bën gjënë më të mirë që mund të bënte dhe të vetmen gjë që ka në dorë, të na mbyllë brenda.  Kaq mundet, kuptojeni këtë!

Kjo është arsyeja, pse edhe unë, që jam një nga njerëzit që nuk e dua vërtet Edi Ramën, po zbatoj pikë për pikë, shtet-rrethimin e tij. Është hera e parë, që unë dëgjoj me kujdes dhe vëmendje të madhe këshillat e tij, që na i jep orë e çast, i rrethuar nga mjekrra si e Ismail Qemalit dhe betoni i Surrelit.

Edi Rama është sot në këto ditë të këqija edhe kryeministri im! Ndaj e dëgjoj me kujdes edhe kur ai gënjen, sepse është e vërtetë që ai gënjen për të shpëtuar veten, por këtë gjë ai mund ta realizojë, vetëm duke na shpëtuar edhe ne, ose të paktën duke u përpjekur të na shpëtojë.

Edi Rama, kryeministri ynë, po bën sot të vetmen gjë që ka në dorë. Të na mbyllë brenda, të na kyçë dhe po u sëmurëm, të paktën të sëmuremi me rradhë.

Ndaj unë, ju lutem të gjithëve, që të jeni sot me Edi Ramën dhe ta dëgjoni atë!

Ju lutem, mos i kërkoni sot Edi Ramës shtretër, mos i kërkoni tamponë, mos i kërkoni tuba dhe respiratorë! Mos i kërkoni gjëra që ai, as i ka menduar kurrë më parë dhe as nuk ka ku ti gjejë!

Ai ka sot me shumicë, koncesione dhe PPP, për check up, sterilizim, laboratorë, kamera dhe dronë propagande… Ka edhe televizion me emrin e tij.

Ai ka sot, koncesione për inceneratorë, ka mender, sa të dhj***, siç thotë ai vetë edhe zhvillim edhe modernizim.

Por, mos i kërkoni gjëra të cilat nuk i ka dhe nuk i ka interesuar kurrë t’i ketë!

Le t’i bindemi sot Edi Ramës! Duke dashur të shpëtojë veten, ai ndoshta mund të na shpëtojë edhe ne.

Le të jemi sot të bashkuar rreth Edi Ramës edhe kur ai na gënjen!

E keni dëgjuar, kur çdo ditë thotë, “po zbatojmë këshillat e OBSH-së”? I zuri goja lesh, duke thënë “OBSH, OBSH, OBSH”.

Dhe kur drejtori i OBSH-së, deklaroi se “duhen vetëm teste, teste, teste”, Edi Rama ynë tha se “ne do të ndjekim rrugën e Zvicrës, me sa më pak teste”, duke na shpjeguar gjerë dhe gjatë, si një doktor i madh, që Zoti e ka hedhur në këtë humbëtirë, për të na treguar, kur, si  dhe pse bëhen testet.

Dëgjojeni dhe bashkohuni me Edi Ramën sot! Për të shpëtuar veten, ai po përpiqet të na shpëtojë edhe ne.

Le të kyçemi brenda në shtet-rrethim dhe të paktën, nëse sëmuremi, le të sëmuremi me rradhë!

Sot unë jam me Edi Ramën dhe ju lutem të gjithëve edhe po të mos e doni, të jeni me të! /TPZ.al