Sot përpjekja e opozitës për ta goditur kryeministrin me vezë dështoi. Strazimiri dhe të tijët nuk e realizuan qëllimin, po ashtu sikurse edhe e gjithë PD-ja nuk goditi dot në shenjë, me përpjekjen për të prishur seancën parlamentare me pretekstin e ndryshimit të një projektligji për të cilin palët kishin rënë dakord më parë.
Eshtë e vërtetë se rikthimi në parlament i Armando Prengës, përbën një skandal. Eshtë gjithashtu e mundshme që ai të jetë favorizuar në gjykatë, nga lidhjet okulte që mban me këtë mazhorancë. Është e turpshme sesi deklaratat e tij dhe ato të Edi Ramës përkojnë aq shumë sa duken të shkruara nga e njëjta dorë.
Por, pavarësisht nga e gjithë kjo paskrupulltësi, e cila e nxin edhe më imazhin e kësaj qeverisjeje, opozita nuk mund të vepronte në atë mënyrë.
Propozimi për t'i shtuar amendamente një ligji aq shumë të debatuar, të punuar dhe të mbikqyrur nga ndërkombëtarët, ishte e pavend.
Ashtu sikurse duket idiotësi kërkesa për të arnuar atë ligj pas çdo ngjarjeje.
Ashtu sikurse është absurd hartimi i neneve «ad hominem».
Në përpjekjen për ta tejkaluar të drejtën e saj për rastin Prenga, në fakt opozita bëri këtë të enjte një autogol.
Kjo u duk qartë edhe në revanshin që kishte marrë Rama gjatë ligjërimit të tij të gjatë në Top Story.
Ai i përdori këto argumenta madje shkoi edhe më tej, duke thënë se PD-ja tani po përpiqet të minojë ligjin e dekriminalizimit, pasi nuk gjen dot 19 deputetët e inkriminuar që ka premtuar.
Megjithëse i njollosur në sy të të gjithë shqiptarëve si "përdhosësi i këtij parlamenti", ai përdori mbrëmë tejkalimin e opozitës për të krijuar një avantazh për veten.
Dhe përkohësisht ia arriti duke krijuar idenë se kundërshtarët e tij kërkojnë qiqra në hell duke mos mbajtur dot asnjë premtim për konsensus.
Prandaj pasi dështoi ta godasë me vezë, PD-ja nuk ia doli ta dëmtojë as me këtë manovër kundërshtarin e saj të përlyer keqazi.
Sepse ka raste kur ektremizmi i shpënë në skaj vetëm sa e lehtëson prenë e synuar prej tij. Ky qe dhe rasti i Ramës këtë të enjte. /Lapsi.al/