Nga Alfred Lela

14 nëntor 2015 – Kryengjarja e kësaj jave u bë përpjekja e dështuar e kryeministrit Rama për të kriminalizuar shpifjen, ose më saktë, për të heshtur median dhe kundërshtarët e vet politikë nëpërmjet kërcënimit të burgut. Shefi i qeverisë u tërhoq pas një rezistence të plotë nga të gjithë aktorët mediatikë, opozita, por edhe pak zëra brenda mazhorancës.

Gazeta “Panorama” raportonte se vendimi i Ramës për të kthyer ndëshkueshmërinë në një ‘nen të shpifjes’ erdhi pak pasi në shtyp rrodhi lebetia e një raporti të OSBE kundër ‘100 të zezave’, por edhe një shifër, pak si shumë e rrumbullakosur, prej 200 milionë eurosh, e cila i faturohej kryeministrit në një bankë offshore.

Një rehati u bë kështu dy, dhe të dyja bashkë do të mbesin me sa duket në repertorin famëkeq të kryeministrit.

Zhurma e reagimeve ndaj përpjekjes erdoganiane të kryeministrit ishte e mjaftueshme për të mbytur dy episode të tjera, të ndodhura në të dy krahët e spektrit politik, me personazhe kryesore dy të pangjashëm: Jozefina Topallin dhe Ben Blushin. Të dy politikanë karriere, të dy eksponentë të pushteteve të majtë dhe të djathtë, të dy të shmangur, me anë të heshtjes nga lidershipët respektivë të partive.

E para, zonja Topalli, e cila në një mbledhje të grupit parlamentar demokrat formuloi paradigmën ‘opozita nuk është askund’, duke folur për mefshtësi të Bashës për të iniciuar aksione politike radikale. Rasti me të cilin ish-kryeparlamentarja ilustronte këtë flegmatizëm opozitar ishte pikërisht protesta e studentëve kundër ligjit të arsimit të lartë. Me ose pa dashje, zonja Topalli bënte dy gabime: njëri ideologjik e tjetri taktik.

Duke filluar nga taktikja, e cila fare mirë mund të ishte edhe përpjekje për ta hedhur në betejë të paarmatosur shefin e saj të ri, deputetja e PD-së i kërkonte opozitës, ose më saktë Bashës, t’u bashkohej studentëve. Çka ishte gjysma e së keqes, sepse në fakt opozita duhej ta kish sipërmarrë vetë protestën kundër ligjit. Skenari me Bashën që i bashkohet protestës së studentëve do të ishte një përsëritje. Si e aktit, ashtu dhe e sikletosjes. Ka ndodhur njëherë, dy vjet më parë, kur Basha dhe Berisha u derdhën në Bulevard për t’u larguar saora kur turma e protestuesve nuk i pranoi.

Kush ka iluzionin se nuk do të ndodhte e njëjta gjë edhe kësaj here, nuk e ka informacionin se thelbi i turmës, egalitarianë të rinj, apo majtistë të fashave të ndryshme, nuk ka ndryshuar. Këtu vjen e lidhet edhe nyja e ideologjikes. Zonja Topalli propozon, për qëllime politike, që të anashkalohet kjo ndarje: të ketë ‘një aleancë të re të qelbësirave’, veç të shporret kjo qeveri. Që do të thotë: s’ka gjë! Edhe pse egalitarianët, ata që kërkojnë arsim falas për të gjithë, jo vetëm ia fusin kot, por edhe i shkojnë ndesh thelbit të ideologjisë së djathtë, e cila ka si kredo garën dhe mundësinë e barabartë, jo vetë barazinë. Sa për informacion, ligji i arsimit të lartë parashikon që të varfrit dhe të shkëlqyerit të përfitojnë arsimim falas, kurse të tjerët të futen në garë, pse jo dhe të kushtëzohen. Ta zëmë, djali i zonjës Topalli mund të arsimohet falas nëse është maturant i shkëlqyer, dhe nëse jo, duke kuptuar se nuk është i varfër, të paguajë. Po, të paguajë edhe për të varfrin, edhe për të shkëlqyerin.

Zonja Topalli sugjeron gabim dhe arsyet i di vetë. Nëse nuk janë arsye, janë motive; por çfarëdoqofshin, mangësi mbeten gjithsesi.

Mangësi është edhe të mos kuptosh se pse njerëzit nuk dalin në rrugë, si në Rumani kërkojnë të gjithë, dhe pse opozita nuk e bën dot stuhinë ideale të kundërshtimit me anë të së cilës ta kërcënojë pushtetin dekadent të së majtës. Bëhet shpesh kjo pyetje, ngrihen pareshtur ato supe, kërkohet vazhdimisht sqarimi i kësaj dileme. Nuk e di a ka përgjigje tjetër veç asaj se, ajo që duhej të ishte alternativa, nuk është ende e tillë. Përballë kërcënimit të ri të pushtetit që merr formë përditë, publiku, me instinkt, arrin të shquajë kërcënimin e vjetër që shfaqet në profilet e ish-pushtetarëve të djeshëm, ku bën pjesë edhe zonja Topalli. Opozita është e mpakur brenda kësaj guaske ku shtyhen ata që nuk kanë ikur me ata që nuk kanë ardhur. Nuk ka një kontratë parimore mes flukseve në PD; nuk ka kohezion; ka vetëm një kryetar të ri dhe një ish-kryetar.

Për të ardhur tek episodi i dytë i javës që lamë pas; i heshtur edhe ai nën hijen e madhe të skandalit të kriminalizimit të shpifjes: fjalimi i deputetit socialist Ben Blushi në parlament. Përveçse e shkurtër, e saktë, jopatetike, fjala e Blushit pati një përbërës të munguar që kërkonte një publik të stërmadhuar që e ka sjellë postmodernia në shoqëri: elektoratin gri. Ky është gabimi i madh që bëhet në PD: mprehen ushtat e retorikës dhe formulohet një gjuhë të cilën e dinë militantët, por zona gri e kërkon të përkthyer ose e neverit. Opozita ka nevojë t’i shtrijë këmbët përtej jorganit blu. Ata që e kanë shkurtuar këtë jorgan, nuk mund të këlthasin për këmbë titanësh që nuk i kthejnë saora në shtratin e purpurt dhe të pupëlt të pushtetit.

“Mapo”

/portali DurresLajm/