Nga Kovendi kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi pranoi sërish dështimin e këtij institucioni për të mundësuar të drejtën e votës së emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Ai deklaroi se ishin regjistruar 5000 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, të cilët deklaruan dhe vendbanimet e tyre në shtetet përkatëse, por pa e pasur mundësinë e votimit.

Sipas tij, koha që ka qenë në dispozicion, duke konsideruar dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ka qenë e pamjaftueshme por ka munguar dhe kosnensusi politik mes palëve.

“Është e vërtetë që Kodi Zgjedhor ka parashikime në lidhje me të drejtën e emigrantëve për të votuar atje ku kanë vendbanimet e tyre. Vetëm kaq, pasi seti tjetër i rregullave do të duhej të miratohej nga KQZ dhe koha është shumë e shkurtër për të përgatitur këtë set rregullash. Ndikoi në dështimin e KQZ që edhe për zgjedhjet e 25 prillit, qytetarët shqiptarë me të drejtë vote që banojnë jashtë Shqipërisë të votonin. Ishte thjesht çështje kohe dhe nuk kishte konsensus politik. Nuk mund të them më shumë se sa vendimet që KQZ kanë thënë për ankesat e procesit zgjedhor. Nga pikëpamja ligjore konsiderohet e mbyllur. Mendoj që nuk do të kishte as ndonjë vlerë diskutimi. Kemi të regjistruar rreth 5 mijë qytetarë me të drejtë vote që kanë deklaruar vendbanimin e tyre jashtë vendit” – tha Celibashi.