Profesori i njohur Ethem Ruka ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook disa të dhëna mjaft interesante rreth uljes së pjellorisë mashkullore në botë.

Sipas profesor Rukës, ky përkeqësim shprehet ne uljen e numrit të gametëve mashkullorë (spermatozoidëve), në uljen e lëvizshmërisë, rritjes se defekteve morfologjike dhe çregullimit të numrit të kromozomeve këtyre qelizave riprodhuese.

‘Shkaqet nuk janë të qarta’, shkruan profesor Ruka, por specialistët e fushës së riprodhimit human po arrijnë në përfundimin se përveç faktorëve të njohur si obeziteti, çregullimet hormonale dhe defektet gjenetike, ndotja e mjedisit perbën ndoshta faktorin më të rënde që ka prekur pjellorinë mashkullore në botë.

Statusi i plotë i profesor Ethem Rukës:

PSE PO ULET PJELLORIA MASHKULLORE NË BOTË?

Nje serë studimesh kane evidentuar nje renie te vazhdueshme te pjellorise (fertilitetit) mashkullore në gjithë botën.
Mungesë pjellorie konsiderohet paaftësia për të prodhuar një shtatzëni të suksesshme gjatë një viti. Në SHBA një në 10 çifte vuan nga mungesa e pjellorisë (infertiliteti).

Studimet e para për infertilitetin mashkullor u publikuan në vitet 1970. Pas 40 vitesh treguesit e pjellorise mashkullore botërore janë përkeqësuar deri ne 52%.

Ky përkeqësim shprehet ne uljen e numrit të gametëve mashkullorë (spermatozoidëve), në uljen e lëvizshmërisë, rritjes se defekteve morfologjike dhe çregullimit të numrit të kromozomeve këtyre qelizave riprodhuese.

Arsyet nuk janë shumë të qarta. Specialistët e fushës së riprodhimit human po arrijnë në përfundimin se përveç faktorëve të njohur si obeziteti, çregullimet hormonale dhe defektet gjenetike, ndotja e mjedisit perbën ndoshta faktorin më të rënde që ka prekur pjellorinë mashkullore në botë.
Numri lëndëve kimike që hidhen në treg çdo vit sa vjen e rritet. Vetëm në SHBA janë të rregjistruara mbi 80 000 produkte kimike dhe se çdo vit shtihen 2000 prodhime të tilla.

Një pjesë e tyre kaanë strukturë të ngjashme me molekulat hormonale që kontrollojnë riprodhimin. Duke u lidhur me receptorët e hormoneve natyralë, këto lëndë prishin gjithë ekuilibrin e hormoneve që kontrollojnē pjellorinë mashkullore. Sipas OBSH-së rreth 800 lëndë kimike veprojnë mbi hormonet maskullorë, megjithatë studimet e deritanishme janë të pjesëshme.

Ndër lëndët helmuese të kësaj natyre përfshihen ftalatet, pesticidet, herbicidet, metalet e rëndē, gazet toksike dhe shumë materiale të tjera sintetike.

Ftalatet janë pjesë e plastikës së ambalazheve ushqimore si shishet e ujit, qumështit etj, të cilat ndikijnë mbi hormonin mashkullor, testosteronin, dhe treguesit e tjerë biologjik të spermës.

Po ashtu dyshohet se rrezatimi i paisjeve, si laptove, telefonave celularë dhe shumë paisjeve të tjera ndikojnë negativisht mbi pjellorinë mashkullore. Metalet e rëndë si cadmiumi dhe arseniku qe takohen në ushqime, ujë dhe prodhimet kozmetike janë faktorë rëndues. Rënia e pjellorisë mashkullore përben një problem shqetësues që meriton studime më të thelluara.