Megjithëse trupi i viktimës 32-vjeçare Luljeta Preza ishte i mbuluar nga gjaku, siç duket edhe në foton dhe pamjet filmike që “DurrësLajm” i publikoi  vetëm pak minuta pas ngjarjes së rëndë, në njoftimin e parë zyrtar policia e Durrësit specifikoi vetëm se “është gjetur pa shenja jete një shtetase endacake ende e paidentifikuar, rreth moshës 20-30 vjeçe”.

Pyetja që lind është pse policia e Durrësit nuk njoftoi paraprakisht se trupi i shtetases që u gjet pa jetë kishte shenja dhune, kur njollat e gjakut ishin mjaft evidente në vendngjarje?!

Edhe në komunikimin telefonik që “DurrësLajm” realizoi para daljes së njoftimit zyrtar paraprak, policia e Durrësit mohoi të bëhej fjalë për vrasje, por vetëm për një shtetase të gjetur të pajetë.

Ndërkohë, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, viktima kishte te prera në kraharor dhe bark.

Vetëm orë më pas, pas këmbënguljes së mediave, policia doli me një njoftim zyrtar shtesë ku dha detaje për viktimën, vrasjen e kryer me mjet prerës dhe faktin që në komisariatin e policisë janë shoqëruar 17 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Në vendngjarje trupi i viktimës Luljeta Preza, anëtare e komunitetit rom, qëndroi për më shumë se një orë, ndërkohë që gjatë hetimeve paraprake aty ishin edhe drejtori dhe nëndrejtori i Policisë së Qarkut Durrës, si dhe ekspertët e kriminalistikës dhe efektivë të rendit, që kërkuan përgjatë gjithë sipërfaqes së nënkalimit për armën e krimit.

Efektivët ishin në kërkim edhe të kamerave të sigurisë në zonë, por fatkeqësisht aty nuk ka të vendosur asnjë, pavarësisht se është parashtruar disa herë vendosja e tyre si nga bizneset e zonës ashtu dhe nga aktivistë të Shoqërisë Civile.  

M.B.

Lexim i sugjeruar: