Nga Dritan Hila

Data 8 do të ishte edhe data e provës e protestës studentore, provë të cilën ajo nuk e kaloi.

Për hir të kronologjisë dallga e humbi fuqinë e saj që ditën e tretë nga fillimi i saj dhe të hënën e parë iniciativa kaloi në duart e Ramës. Ishte protesta e cila e rrezikonte seriozisht Ramën, çka u pa edhe nga gjendja emocionale e kryeministrit. Mungesa e informacionit për organizatorët; masiviteti i pjesëmarrjes; inteligjenca e parrullave, i bënë me dije se iniciatorët nuk vinin nga selitë partiake. Ato ditë ai ishte gati të negocionte gjithçka. Por protesta humbi efektin surprizë dhe i dha kohë të fuste përçarësit dhe makinën e propagandës në lojë.

Ndërkohë protestat e tjera kanë mbetur periferike. Ajo e banorëve të  Astirit nuk ja doli të fitojë simpatinë e shumicës dhe kjo jo vetëm për fajin e tyre por edhe individualizmin proverbial të shqiptarëve.

Protesta e iniciuar nga një emigrant, Genc Sejko, i njohur për memet e tij pikante, kaloi pa u ndier dhe pa shqetësuar njeri.

Në përgjithësi që të treja nxorrën në pah disa mungesa thelbësore që të mund të bëjnë të rrezikshme një protestë.

Të gjithave ju mungonte programi. Askush nuk ndjek dikë që nuk e di se ku do të shkojë. Vetëm një naiv mund të mendojë se mjafton të shash dhe, të pakënaqurit të vijnë pas. Dhe parapolitizmi është karakteristikë thelbësore jo vetëm e protestuesve të rrjeteve sociale por eshe atyre të shesheve. Kjo duhet të jetë një mësim për gjithë shqiptarët se nëse nuk artikulohen politikisht, do kenë në qafë pikërisht ata që dinë të artikulohen: PS, PD dhe LSI.

Protestës i mungonte objektivi. Studentët nguronin të kërkonin qoftë edhe kokën e ministres së arsimit, duke e ngushtuar kërkesen e tyre në tetë pika të parealizueshme ose të vagullta. Kur disa gazetarë dashamirës si Mentor Kikia apo Rudina Xhunga i këshilluan që të bëheshin më konkretë, një tufë shkarashkruesish injorantë që kullosin ose në lulishten e presidencës ose në atë të Shqup-it, i anatemuan pasi medemek po kërkonin të ulnin vrullin e studentëve që do përmbysnin qeverinë. Në fakt studentët as e kishin në mend përmbysjen e qeverisë e cila ekzistonte vetëm në mendjet e gjysmakëve të ardhur nga provinca dhe mendojnë se çdo fandaksje është politikë e madhe. Në fund, Rama bëri ca shkarkime por vendosi në vend të tyre ca që janë më të paftë e më hajdutë se ata që ikën. Çka do të thotë që ndërrimet i bëri për qejf të vet.

Prania e partive tradicionale ishte një tjetër faktor që uli mbështetjen e studentëve për protestën dhe të qytetarëve për studentët. Asnjëra prej këtyre partive nuk po e kupton se nuk mund të fitojë duke bërë rolin e xholit dhe futur në çdo dorë letrash që duket fituese. Ato nuk dinë të reformojnë veten. Mbase do kishin shpresë nëse konjuktura botërore do ishte ajo e luftës së ftohtë, por sot netojmë në kohë dinamike. E vetmja gjë që i mban në treg është sistemi zgjedhor. Po ra ai, në harkun e dy palë zgjedhjeve, asnjëra prej tyre nuk do ekzistojë.

Dhe një ndër arsyet e rëndësishme që protesta ra ishte mungesa e lidershipit. I vetmi që u dallua ishte një person me kaskë çiklisti që nuk linte protestë pa marrë pjesë por duke mos krijuar asnjë simbol, përveç përshtypjes se kishte disa javë pa larë kokën.

Lidershipi është domosdoshmëri në çdo lëvizje. Madje metodika e do që ata të krijohen, pasi turmat kanë nevojë për përcjellës mesazhesh. Mungesa e një lideri do çonte në humbje, ashtu siç çoi.

Studentët humbën një shans të madh të faktorizoheshin dhe për më shumë i dhanë Ramës imazhin e një udhëheqësi që i rreziston edhe goditjes së studentëve. Çka do ta bëjë më të vështirë lëkundjen e tij para 2021-shit