Në shtator, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet për të marrë një vendim për përjashtimin ose jo nga partia të Arben Ahmetaj, ish numri 2 i qeverisë, tashmë në kërkim për aferën e inceneratorëve.

Blendi Klosi, tashmë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, në ditën e tij të parë të punës, tha se ky vendim i rëndësishëm për fatin e Ahmetajt në parti është ekskluzivitet i grupit parlamentar.

“I takon grupit parlamentar që në mbledhjen e tij të parë në fillim të sezonit të ri parlamentar dhe të kongresit të partisë që me gjasa do e kemi në shtator, do marrim vendime të plotë për çështjet që shqetësojnë, një prej tyre dhe ajo për të cilën ju përmendët (inceneratorët), për është ekskluzivitet i atij grupi”, tha Klosi.

Nga ana tjetër menjëherë pas marrjes së detyrës, Klosi tha se PS do të nisë nga puna për mbledhjen e Kongresit, ku do të vendoset më pas nëse posti i tij do të jetë i përkohshëm ose jo si sekretar i pergjithshëm.

Klosi tha se ndër objektivat më primare nën drejtimin e Partisë Socialiste është sigurimi i fitores së zgjedhjeve të vitit 2025.

“Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së është një detyrë shumë e rëndësishme. PS e ka dëshmuar në gjithë këto vite se dita e zgjedhjeve për të është një ditë lufte, gare, fitoreje. Dhe dita pa zgjedhje është dita e parë e të menduarit për zgjedhjet e ardhshme. Z. Gjiknuri ka bërë një punë shumë të mirë.

Së bashku do ta çojmë në një garë të fortë fitoren e 2025-s, ku Partia Socialiste shkon jo vetëm për të marrë mandatin e saj të katërt, por njëkohësisht me fitoren e këtyre zgjedhjeve të kemi një parti të re, një parti që reformohet, një parti që gjen forcën te struktura e saj, te njerëzit e saj, te mbështetësit e saj, tek ata që presin vetëm te Partia Socialiste e Shqipërisë të ecin përpara.

Kjo detyrë do na detyrojë të punojmë shumë, të kemi orë të zgjatura me gjithë strukturën e partisë në çdo zonë, në çdo lagje, për të kuptuar se çfarë njerëzit duan nga Partia Socialiste”,tha Klosi.