Kur vjen dhjetori, gjithçka ngadalësohet. Zyra boshatisen, takimet anulohen. Për disa, kjo pauzë është çlirim. Për shumë të tjerë, është momenti kur vetmia del në sipërfaqe, e zhveshur nga zhurma e përditshme që gjatë vitit e mbulon. Ajo që e bën vetminë gjatë festave veçanërisht të rëndë nuk është izolimi në vetvete, por kontrasti brutal mes pritshmërisë dhe realitetit. Shoqëria na thotë se kjo është koha e gëzimit, e tryezave plot dhe e dashurisë. Kur jeta jonë nuk i ngjan këtij rrëfimi, boshllëku ndihet edhe më fort.

Psikoterapistja amerikane Victoria Grinman shpjegon se një nga nxitësit kryesorë të vetmisë në këtë periudhë është presioni i krahasimit, bindja se “të gjithë të tjerët po kalojnë festa perfekte”. Kjo ndjenjë rihap plagë të vjetra, marrëdhënie familjare të pazgjidhura, humbje, pritshmëri që nuk janë përmbushur kurrë, të cilat festat i bëjnë edhe më të dukshme. Puna na jep strukturë, identitet dhe kontakte të vogla sociale të përditshme. Kur kjo strukturë bie, heshtja bëhet shqetësuese. Një studim tregon se gati 74% e beqarëve punojnë edhe të dielave vetëm për të mos u ndjerë vetëm, ndërsa 65% e përshkruajnë të dielën si ditën më të vetmuar të javës. Nuk është çështje produktiviteti, është shmangie e vetmisë.

Ky fenomen shtrihet shumë më gjerë. Rreth 45% e punëtorëve pranojnë se ndihen të izoluar, një shifër që është rritur ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe medias. Të qenit i zënë nuk do të thotë të jesh i lidhur emocionalisht. Shumë njerëz janë të rrethuar nga mesazhe dhe takime, por nuk kanë një “bazë emocionale” ku të ndihen vërtet të parë dhe të dëgjuar. Sipas ekspertëve, rreth 61% e amerikanëve përjetojnë trishtim ose vetmi gjatë festave, dhe shumë prej tyre do të donin t’i anashkalonin fare. Epidemia e vetmisë nuk ndalet në dhjetor, ajo thjesht humb maskimin.

Festat e fundvitit e thellojnë vetminë sepse nxjerrin në pah hendekun mes asaj që “duhet të jetë” dhe asaj që realisht është jeta jonë. Zgjidhja nuk është optimizmi i detyruar. Psikologët sugjerojnë ndërtimin e qëndrueshmërisë emocionale, përmes zgjedhjeve të vogla, por të qëllimshme: Sidomos tek të rinjtë, festat tradicionale me alkool dhe biseda formale shpesh rrisin ankthin. Një trend i ri po fiton terren, komunitetet e bazuara në lëvizje, vrap, yoga, palestër, ecje në grup. Ato ofrojnë lidhje pa presion për të “performuar”.

Siç thonë themeluesit e këtyre nismave, nuk ke nevojë për veshjen perfekte apo bisedën më interesante. Mjafton të jesh aty, duke bërë diçka reale, krah për krah me të tjerë. Heshtja e festave nuk është dështim i lidhjes njerëzore. Është informacion. Na tregon çfarë na mungon dhe çfarë ka nevojë të ndryshojë. Nëse e dëgjojmë me vëmendje, kjo periudhë mund të shndërrohet jo në një kujtesë të asaj që s’kemi, por në një fillim të ri për mënyrën se si lidhemi me të tjerët, dhe me veten.