A do të shuhet apo jo nesër misteri për emrin që socialistët durrsakë do të prezantojnë në garën për qytetarin e parë të Durrësit, kjo mbetet për t’u parë. Në 2 garat elektorale të vitit 2011 dhe 2015, nuk ka pasur asnjë dilemë, Vangjush Dako rikandidonte për mandatin e tij të dytë dhe të tretë. Por këtë herë gjërat janë komplet ndryshe. Nesër në Durrës, kryeministri Rama pritet të bëjë ndalesën e rradhës në kuadër të turit “Bashkia që duam”. Në disa qytete, nr.1 i socialistëve ka prezantuar kandidatin për zgjedhjet lokale, por jo domosdoshmërisht kjo mund të ndodhë pasditen e së premtes në Durrës. Në ndryshim nga shumë bashki të tjera të vendit, ku kandidatët ose janë zyrtarizuar tashmë, ose pritet të zyrtarizohen, në Durrës ka shumë emra që qarkullojnë, por asnjë që të dominojë mbi të tjerët. Megjithë propozimet e bazës socialiste, ekskluzivitetin për përcaktimin e emrit të kandidatit do ta ketë Rama.
“Dako e meriton të kandidohet edhe 500 herë të tjera”,-do të deklaronte Rama në një emision televiziv pak javë më parë, por nga ana tjetër ishte PS që depozitoi në KQZ kërkesën për të mos rikandiduar më kryebashkiakët që ishin në mandatin e tyre të tretë. Hedhja poshtë e kësaj kërkese nga KQZ, mbajti ende në garë Dakon, i cili, në ndryshim nga homologu i rij Qazim Sejdini në Elbasan, nuk ka deklaruar prerazi se nuk do të kandidojë për një mandat të katërt.
Në këtë kohë të trazuar politike, kur opozita është jashtë parlamentit dhe kërcënon se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale nëse kryeministër vazhdon të mbetet Edi Rama, rikandidimi i Dakos do të rikthente edhe njëherë prozhektorët e Bashës, Kryemadhit etj nga kryebashkiaku i Durrësit. Për më tepër që vetëm një ditë më pas, të shtunën, PD ka thirrur një protestë popullore në Durrës, para bashkisë së qytetit. Pas gati 20 vitesh i drejtuar nga të majtët, qyteti bregdetar do të ishte ndoshta gati për një rokadë, por prapëseprapë kjo duket e largët. Të shtunën, PD durrsake pritet të kalojë ‘provën e zjarrit’ nëse do të arrijë ta mbushë sheshin dhe të motivojë njerëzit ashtu siç ndodhte para erës Dako në degën lokale të PS-së.
Pak javë më parë, shumë qytetarë durrsakë janë telefonuar për të dhënë opinionin e tyre mbi qeverisjen e Durrësit, drejtuesit lokalë, problematikat e qytetit etj. Rezultatet e këtij sondazhi nuk janë bërë publike dhe nuk dihet ende nëse e ka ndihmuar kryesinë e PS-së për të krijuar një ide më të qartë mbi emrin, të cilit do t’i besojnë drejtimin e qytetit për 4 vitet e ardhshme. I kritikuar që në mandatin e tij të parë për betonizimin e qytetit, për investimet e përqendruara kryesisht në qendër dhe lënien jashtë vëmendjes së periferisë, për investimet miliona euroshe që nuk kanë kontribuuar për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve, çuditërisht Dako ka bërë të mundur si askush para tij të thellojë edhe më shumë diferencën me rivalët në garë, duke dalë mandat pas mandati edhe më i fortë.
Sipas socialistëve durrsakë, rikandidimi i beniaminit të tij politik do të garantonte për Ramën sërish fitoren e bashkisë së Durrësit, por nga ana tjetër kjo fitore mund të ketë një kosto të madhe morale për vetë PS-në, pasi dosja 339 vazhdon t’i qëndrojë mbi kokë kryebashkiakut si shpata e Demokleut, pavarësisht se Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hap që mund të trazonte ujërat e politikës. Niçja, Avdylajt, komunikimet e tyre me Dakon, para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 2017 janë publikuar edhe në një shkrim të Zërit të Amerikës, që vinte theksin në denoncimin e shitblerjes së votës në disa qarqe të vendit. Rikandidimi i Dakos do t’i jepte një argument më shumë retorikës së opozitës, se votat në Durrës blihen nga bandat. Por nga ana tjetër, Rama ka treguar se nuk ka shumë skrupuj moralë, pasi kandidoi Elvis Rroshin në Kavajë, pavarësisht akuzave që rëndonin mbi të dhe u detyrua të pranonte dorëheqjen e tij vetëm pas publikimit të dokumentave zyrtarë që dëshmonin ‘gjynahet’ e ish-kryebashkiakut.
Vangjush Dako, Ardian Çela, Spartak Kovaçi apo ndonjë emër tjetër surprizë? Pasditja e së premtes mund t’i japë përgjigje kuriozitetit jo vetëm të socialistëve por edhe qytetarëve të tjerë të Durrësit, ose mund të shtojë edhe më shumë hipotezat se pse po vonohet kaq shumë zyrtarizimi i kandidaturës në Durrës, për më tepër që vetë Dako ka deklaruar se me të apo pa të në garë, PD-ja duhet ta harrojë sërish qytetin port më të madh në vend.
Kur fitorja duket kaq e sigurt, pse Rama dhe PS po ngurojnë kaq shumë të shpallin kandidatin e tyre në Durrës?!
M.B.