Debati rreth punës së seksit dhe legalizimit ose jo të saj ka nisur të kryhet në Shqipëri. Padyshim që legalizimi i punës së seksit përfaqëson një debat të rëndësishëm publik.
Megjithatë, Shqipëria sot ndodhet ende në një fazë tjetër: Puna e seksit mbetet e kriminalizuar sipas Nenit 113 të Kodit Penal1, duke i lënë punonjësit e seksit të ekspozuar ndaj stigmatizimit, dhunës dhe përjashtimit sistemik.
Në këtë kontekst, hapi i parë dhe më urgjent është diskutimi mbi nevojën për dekriminalizim (eleminimi i sanksioneve penale për ushtrimin e punës konsensuale to seksit të të rriturve).
Kjo qasje gjen mbështetje në nevojën urgjente për të adresuar problematikat jetësore me të cilat përballen punonjësit e seksit në Shqipëri për shkak të kriminalizimit të prostitucionit (mungesa e sigurisë së përgjithshme, dhuna, vështirësia për të aksesuar shërbimet e nevojshme mjekësore, ndalimet, arrestimet dhe kontrollet arbitrare policore, lehtësia për shfrytëzim dhe trafikim) dhe në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Në botë ekzistojnë disa modele të rregullimit të punës së seksit. Së pari është kriminalizimi, një model që e konsideron punën e seksit tërësisht të kundërligjshme, duke përfshirë kërkesën dhe ofertën.
Kjo qasje rezulton në kontrolle të shumta policore, rrezik më të lartë për dhunë, pengesa për akses në shërbime dhe stigmatizim të shtuar ndaj punonjësve të seksit.
Shpesh kriminalizimi i punës së seksit e përkufizon atë si “prostitucion” dhe konsiderohet aktualisht si modeli më arbitrar i rregullimit, që nuk përputhet me standardet e respektimit, mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut.2
Së dyti, është dekriminalizimi, një model që eliminon të gjitha sanksionet penale lidhur me punën konsensuale të seksit.
Puna e seksit trajtohet si çdo punë tjetër dhe mbi të aplikohen kuadret e përgjithshme ligjore mbi rregullimin e marrëdhënieve të punës.
Të dhëna nga shtete që kanë realizuar modelin e dekriminalizimit, si Zelanda e Re, tregojnë se dekriminalizimi përmirëson sigurinë, shëndetin dhe qasjen e punonjësve të seksit në drejtësi.
Aktualisht konsiderohet si modeli rregullator më efektiv, i mbështetur në standardet e respektimit, mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut.3
Së treti, është legalizimi. Në këtë qasje, puna e seksit lejohet të ushtrohet nën kushte strikte rregullimi, si licencimi apo regjistrimi i detyrueshëm i punonjësve të seksit.
Kjo qasje ka rezultuar në krijimin e sistemeve rregullatore me dy nivele, ku punonjësit që nuk mund të përmbushin kërkesat e detyrueshme për licencim apo regjistrim mbeten të kriminalizuar.
Eksperiencat në Gjermani dhe Holandë tregojnë se rregullimi strikt dhe i fortë shpesh nuk mbron punonjësit më të margjinalizuar.4
Gjithashtu, në një pikëpamje feministe, ky rregullim i rreptë përfaqëson njëherazi një përpjekje për rregullim të plotë dhe objektifikim të mëtejshëm të trupave të grave (të dhënat tregojnë se 80% e punonjësve të seksit në botë identifikohen si gra)5.
Dhe së katërti, modeli nordik: kriminalizimi i pjesshëm. Sipas këtij modeli klienti kriminalizohet, ndërsa ofruesi jo. Në praktikë, kjo qasje tregon se i detyron punonjësit e seksit të veprojnë në kushte më të izoluara dhe të pasigurta, duke ulur aftësinë e tyre për të kontrolluar dhe menaxhuar klientët dhe sigurinë e tyre6.
Aktualisht, thirrja për dekriminalizim reflekton një konsensus ndërkombëtar në rritje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), UNAIDS dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) rekomandojnë dekriminalizimin e plotë të punës së seksit si mënyrën më efektive për të mbrojtur shëndetin dhe të drejtat e punëtorëve të seksit7.
Amnesty International dhe Human Rights Ëatch theksojnë se dekriminalizimi është i domosdoshëm për të siguruar dinjitetin, autonominë dhe qasjen në drejtësi të punëtorëve të seksit8.
Komisioni Global për HIV thekson se dekriminalizimi i punës së seksit mund të ulë infektimet me HIV ndërmjet punëtorëve të seksit dhe klientëve me afërsisht 50% gjatë një dekade9.
Revista mjekësore e njohur, “The Lancet”, gjithashtu ka theksuar se dekriminalizimi përfaqëson një masë të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik10.
Modele të nuancuara: Shembulli i Zelandës së Re
Debati mbi rregullimin e punës së seksit nuk duhet të reduktohet në një zgjedhje të thjeshtë midis kriminalizimit dhe legalizimit. Ekzistojnë qasje të nuancuara që vendosin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor në qendër.
Një shembull kryesor mbetet modeli i Zelandës së Re11, i cili bazohet në dekriminalizim, por gjithashtu përfshin masa rregullatore shtesë.
Shembulli zelandez parashikon standardizimin e shëndetit dhe sigurisë në punë për punonjësit e seksit. Kjo në një kuadër që shkon sipas ligjeve të përgjithshme të punës dhe që nuk parashikon detyrime ligjore për licencim, apo regjistrim.
Gjithashtu, ky model parashikon sigurimin e qasjes vullnetare në shërbimet shëndetësore dhe ndalimin e diskriminimit ndaj punëtorëve të seksit.
Po kështu, parashikohet përfshirja e organizatave të drejtuara nga punëtorë seksi në politikëbërje dhe monitorim.
Sipas studimeve, modeli i Zelandës së Re ka dhënë rezultate pozitive.
Punëtorët e seksit raportojnë marrëdhënie më të mira me policinë, më shumë siguri dhe liri për të refuzuar klientët e pasigurt, norma të larta të kontrolleve vullnetare shëndetësore dhe raportime të larta të rasteve të dhunës.
Gjithashtu, një e dhënë me rëndësi mbetet fakti që adoptimi i këtij modeli rregullator nuk ka sjellë rritje të rasteve të trafikimit apo të përfshirjes së të miturve në punë seksi.
Për Shqipërinë, kjo nuk do të thotë se modeli i mësipërm është zgjidhja më e mirë në kontekstin aktual, por se debati mbi rregullimin e punës së seksit duhet të shihet si i shtresëzuar dhe në zhvillim.
Dekriminalizimi mbetet hapi i nevojshëm për të ndalur dëmet që shkakton kriminalizimi në jetën e punonjësve të seksit. Në faza të mëvonshme, Shqipëria mund të eksplorojë modele më të gjera rregulluese.
Një shembull mbetet modeli i Zelandës së Re, megjithatë, çdo model rregullator duhet ta gjejë bazën në kontekstin specifik kombëtar.
Për Shqipërinë sot, prioriteti urgjent mbetet të ndalojë kriminalizimin e punës së seksit, pasi kjo qasje rregullatore cënon rëndë dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe jetën e punonjësve të seksit dhe është në kundërshtim me standardet themelore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Dekriminalizimi i punës së seksit në Shqipëri do t`u lehtësonte punonjësve të seksit raportimin e rasteve të dhunës dhe shfrytëzimit pa frikë nga ndalimet apo arrestimet arbitrare.
Së dyti, adoptimi i qasjes dekriminalizuese do të përmirësonte qasjen në kujdes shëndetësor dhe do të ulte rrezikun për infektim me sëmundje dhe infeksione seksualisht të transmetueshme.
Së treti, ky model rregullator do të kontribuonte në uljen e stigmës dhe paragjykimit ndaj punës së seksit, duke e njohur atë si punë dhe jo si krim, çka në një vështrim të përgjithshëm do të sillte zhvillim shoqëror, duke nxitur vlerat demokratike të pranimit dhe tolerancës.
Njëherazi, dekriminalizimi i punës së seksit në Shqipëri do të forconte masat kundër trafikimit duke mos e penguar raportimin e abuzimit, shfrytëzimit dhe trafikimit nga frika e ndjekjes penale.
Debati mbi legalizimin e punës së seksit nuk është i parëndësishëm, por përfaqëson një debat më kompleks.
Nga një perspektivë e të drejtave të njeriut, feministe dhe queer, asnjë model ekzistues i legalizimit nuk ka garantuar plotësisht sigurinë, barazinë dhe mbrojtjen për të gjithë punëtorët e seksit.
Ky model shpesh përfshin kontroll të rreptë shtetëror, regjistrim të detyrueshëm dhe mbikëqyrje të shumta që rrezikojnë përjashtimin e më të margjinalizuarve dhe lënien e tyre në një situatë kriminalizuese.
Kjo nuk do të thotë se legalizimi nuk duhet të diskutohet në Shqipëri, por ky debat duhet të vijë pas dekriminalizimit dhe vetëm përmes një procesi të gjerë, gjithëpërfshirës, të informuar nga eksperiencat ndërkombëtare dhe zërat e vetë punëtorëve të seksit.
Pyetja me të cilën duhet të përballet Shqipëria sot nuk është nëse duhet të legalizojë punën e seksit, por nëse duhet të vazhdojë ta kriminalizojë atë.
Standardet dhe eksperiencat ndërkombëtare tregojnë qartë se dekriminalizimi është hapi i parë rregullator. Debati mbi këtë çështje nuk ka pse të jetë bardhezi dhe i ngurtë: mosrregullim apo rregullim i plotë.
Në të ardhmen, Shqipëria mund të eksplorojë qasje të nuancuara. Një shembull mbeten modelet e përziera që kombinojnë dekriminalizimin me masa mbrojtëse shtesë për punonjësit e seksit.
Megjithatë, aktualisht, rruga përpara mbetet e qartë: Shqipëria duhet të ndalojë trajtimin e punëtorëve të seksit si kriminelë dhe të njohë të drejtat, të garantojë sigurinë dhe dinjitetin e tyre njerëzor, në përputhje me standardet e respektimit, garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut./ Citizens.al





