Puna e efektivëve të Policisë Bashkiake në Durrës, në dobi të qytetarëve dhe jetës publike në shumë sektorë jetikë, është me rëndësi të madhe për komunitetin durrsak, sidomos pas nismave dhe aksioneve të fundit të ndërmarra, nën drejtimin e kreut të saj, Vasip Çopa.
Nga lirimi i hapësirave publike, të cilat janë nën sitën e kontrolleve të vazhdueshme, lufta ndaj shitësve ambulantë që tregtojnë ushqime të pakontrolluara e që rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve, etj, janë disa ndër punët efektive të punonjësve të Policisë Bashkiake në qytet.
Por një pengesë e bërë prej kohësh për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, e pengon Policinë Bashkiake që të tregohet efektive në rregullimin e trafikut në qytet, ku duhet thënë që kohët e fundit është bërë problem, sidomos në oraret e pikut apo në sezonin e verës kur kthehen edhe emigrantët dhe numri i popullsisë në Durrës gati dyfishohet.
Drejtori i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, në një intervistë për “DurrësLajm”, thotë se mos akseksimi në sistemin online të gjobave nga ana e Policisë Bashkiake, ka mbetur një çështje teknike, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar krerëve më të lartë të Policisë e Ministrisë së Brendshme.
“Këtu kemi një handikap të madh pasi kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të bërë marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për të na dhënë akses si Polici Bashkiake te sistemi i gjobave në polici.
Kjo është implementuar në Tiranë, ku vlen të theksohet se ka pasur efekte pozitive dhe në rregullimin e trafikut në kryeqytet. Por deri më tani nuk është bërë e mundur. Nëse arrihet marrëveshja, trafiku në qytet do të ketë rezultate të kënaqshme dhe të menjëhershme.
Pronare e rrugës në qytet është bashkia, tabelat administrohen nga ana e bashkisë, do të ishte zgjidhja e duhur që në raste të nevojshme të ndërhynte bashkia. Do të jetë shumë komode nëse implementohet në Durrës, nisur edhe nga ankesat e shumta të qytetarëve të cilët ankohen për ngarkesën nga trafiku i automjeteve në qytet, por dhe që parkohen në kundërshtim me ligjin në hapësira publike, trotuare, lulishte, sheshe, plazhe, në vendstacionimet e autobusëve urbanë, të invalidëve, taksive, para garazheve, hyrjeve të banesave etj”, deklaron Çopa.
Ndryshe ndodh me gjobitjen e subjekteve private, me të cilat çështja është zgjidhur fare mirë me anë të sistemit të Taksave Vendore dhe ka rezultate shumë të mira. Në fletën e taksave bashkiake ka dhe një pikë ku pasqyrohen gjobat e vendosura nga Policia Bashkiake dhe subjektet janë të detyruar për t’i paguar njësoj siç veprojnë me taksat e detyrueshme.
Në Durrës, ka një bashkëpunim të shkëlqyer mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit; Rendit, Qarkullimit Rrugor, të cilat ia kalojnë kompetencat njëra-tjetrës sipas rasteve dhe realizimi i këtij projekti do të kishte sukses, bën me dije drejtori Çopa.
“Kemi një bashkëpunim të ndërsjellë, perfekt, mund të them më i suksesshmi dhe më i miri në gjithë Shqipërinë, ia kalojmë kompetencat njëri-tjetrit sipas rastit. Ka raste që na kalojnë denoncime nga Komisariati Dixhital, sipas specifikave konkrete që kanë rastet në fjalë”.
LOKALET DHE HAPËSIRAT PUBLIKE
Pavarësisht shkeljeve, vihet re se në qytetin e Durrësit ka filluar të ketë sensibilizim nga ana e bizneseve dhe individëve, ku në qendër situata është shumë mirë, ndërsa më problematike paraqiten zonat rreth lagjeve apo në periferi.
Me rregullore të miratuar, është vendosur që në bulevardet kryesore, të gjitha tavolinat me karrige të lokaleve të jenë në një anë të rrugës. Rruga Tregtare (bulevardi “Epidamn”), bulevardi “Dyrrah” dhe rruga “Aleksandër Goga” nga pallati i kulturës te Mauzoleumi, e kanë taksative vendosjen e tavolinave në të njëjtin krah rruge. Ndërsa në zonat e tjera të qytetit vendosja është e lirë se cilin krah duhet të zgjedhin, por gjithnjë duke mos zënë të gjithë hapësirën e trotuarit.
Çopa thekson se janë dy kushtet që subjektet duhen të plotësojnë; së pari leja në bashki që të mos bien ndesh me rregullat si dhe të mos kenë konflikte me banorët. Nëse ka ankesa nga banorët e zonës, merret në shqyrtim ankesa e tyre dhe mund të mos jepet leja në fjalë.
ASISTIMI NË SHKOLLA
Këtë sezon të ri shkollor, është futur asistimi i punonjësve të Policisë Bashkiake nëpër shkolla, pas ankesave të vazhdueshme nga ana e prindërve, mësuesve, drejtuesve të shkollave që shqetësohesin nga shitësit e shumtë ambulantë që tregtojnë ushqime të pakontrolluara, pa leje, jashtë çdo kushti higjieno-sanitar, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Para nisjes së shkollës, në kuadër të një aksioni, u larguan të gjitha kioskat që gjendeshin pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, 26 në qytet dhe 44 pranë atyre të fshatit, një nismë kjo që u përshëndet dhe u vlerësua nga prindërit dhe komuniteti durrsak.
Çdo mëngjes para filimit të shkollës, punonjësit e Policisë Bashkiake ndodhen pranë hyrjeve të shkollave që kanë edhe numrin më të madh të nxënësve, për të siguruar kalimin e tyre në rrugë si dhe për të rregulluar trafikun. Po ashtu, ata janë prezentë edhe gjatë orarit të pushimit të madh për të kontrolluar shitësit ambulantë.
“Shitësit ambulantë mbeten një problem i madh për shoqërinë tonë, duhet t’i luftojmë fort, duhet të bëjmë edhe sensibilizim të fortë, si te nxënësit, prindërit, tek e gjithë shoqëria. Ushqimet e pakontrolluara, që tregtohen jashtë çdo kushti e që piqen nga dielli, janë burim serioz sëmundjesh e helmimi për nxënësit e të gjithë konsumatorët”, apelon Çopa.
Duke i kushtuar një prioritet të madh luftës kundër shitësve ambulantë, jo vetëm nëpër shkolla, por në mbarë qytetin edhe në plazh, kreu i Policisë Bashkiake thotë se Durrësi ka pasur sukses të madh gjatë sezonit veror që lamë pas. Nga Përroi i Agait deri tek Ura e Dajlanit, ka pasur aksione të vazhdueshme kundër ambulantëve si dhe është zbatuar VKM, duke zbatuar rregullin e distancës 7 m nga vija e ujit te çadrat.
“Sezoni i plazhit ka qenë shumë i suksesshëm, është mbuluar shumë mirë me patrullat tona me dy turne, me automjete dhe biçikleta”, deklaron Çopa.
Ndërkohë, lidhur me aksionin e lirimit të plazheve publike, i cili gjatë verës 2019 nisi në një kohë të papërshtatshme, në kulmin e sezonit turistik dhe pati ankesa të shumta, është në diskutim që për sezonin e ardhshëm të verës 2020, do të bëhet një ligj i ri nga qeveria për marrjen e masave para sezonit turistik, deklaron Çopa, ligj që do të funksionojë për vijën bregdetare në të gjithë Shqipërinë.
PRITET DYFISHIM I PUNONJËSVE TË POLICISË BASHKIAKE
Teksa puna vijon me ritme dhe ka një organizim më efektiv këto dy vitet e fundit, në vazhdmisëi pritet që organika të shtohet me thuajse dyfishin e punonjësve aktualë. 42 efektivë janë aktualisht, ndërsa pritet të shtohen edhe 38 punonjës të tjerë, pasi projekti është për 80 veta dhe pritet që të kalojë me strukturë të miratuar me VKM. Patrullat aktualisht funksionojnë me 2 turne, me 5 mjete, nga ora 08:00 – 22:00, ndërsa në verë orari zgjatet deri në 00:00. Policia Bashkiake është në mbështetjeve edhe të sektorëve të tjerë, Ndërmarrjes Rruga, Drejtorisë së Mjedisit, IMT-së, IKMT-së etj.
S.L.