Me synimin për të kontribuar në arritjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, Spanja e ka njohur zyrtarisht shtetin palestinez.

Të njëjtën gjë e bënë Norvegjia dhe Irlanda. Me këtë vendim ata iu bashkuan më shumë se 140 shteteve nga 193 vendet anëtare të OKB-së.

Siç tha të martën kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, “njohja e shtetit të Palestinës nuk është vetëm një çështje e drejtësisë historike, me aspirata legjitime të popullit palestinez, por është gjithashtu një imperativ për ta arritur paqen”.

“Është e vetmja mënyrë për të realizuar zgjidhjen që ne të gjithë e njohim si e vetmja e mundshme për të arritur të ardhmen e paqes – një shtet palestinez që bashkëjeton përkrah shtetit të Izraelit në paqe dhe siguri”, tha Sanchez.

Me këtë lëvizje të qeverisë spanjolle, por edhe me arsyetimin e saj, shtrohet pyetja pse Spanja po heziton ta njohë Kosovën, shtet me shumicë shqiptare që e ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës dhe bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999?!

Derisa më shumë se 110 shtete e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, ndër të cilat shumica nga BE-ja, si dhe SHBA-ja, Serbia refuzon ta njohë, së bashku me Rusinë dhe Kinën. Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, po ashtu, ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Situata e Palestinës është shumë ndryshe”

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës thanë për Radion Evropa e Lirë se pozicioni i Spanjës karshi Kosovës mbetet i pandryshuar.

“Situata e Palestinës është shumë ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk cenon integritetin territorial të Izraelit, pasi ky territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit. Vendimi i Spanjës për ta njohur shtetin e Palestinës synon të mbështesë të drejtën ndërkombëtare, parimet e Kartës së OKB-së dhe Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha për Radion Evropa e Lirë, Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja doli edhe gjatë diskutimit të takimit të ministrave të jashtëm më 27 maj, në Bruksel, në dritën e vendimit të Spanjës për njohjen e shtetit të Palestinës.

Burimet i thanë Radios Evropa e Lirë se për këtë ka pasur një grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.

Derisa Gjermania ishte “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës, “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”.

Ish-ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, gjatë vitit 2023 kishte deklaruar se qëndrimi i vendit të tij është i qartë: Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky qëndrim nuk ka ndërruar, as nuk do të ndërrojë, dhe të gjithë aleatët tanë e dinë këtë shumë mirë”, kishte thënë Bartolome më 30 qershor, një ditë para se Spanja të merrte udhëheqësinë e Presidencës së Bashkimit Evropian./REL