Një shpërthim sharjesh në momente presioni nuk është thjesht një reagim emocional.
Sipas një studimi shkencor, ai mund të përmirësojë realisht edhe performancën fizike, duke ndihmuar njerëzit të kapërcejnë kufizimet psikologjike dhe të përpiqen më shumë.
Studiues nga Universiteti i Kiel në Britaninë e Madhe zbuluan se përdorimi i fjalëve të ndaluara në situata stresuese mund të rrisë përqendrimin dhe vetëbesimin. Anëtari i ekipit kërkimor, Richard Stephens, shpjegon se në shumë raste njerëzit e frenojnë veten, me vetëdije ose jo dhe nuk shfrytëzojnë të gjithë forcën e tyre.
“Sharja është një mënyrë e thjeshtë për ta ndihmuar veten të ndihet më e fokusuar dhe më e sigurt”, thekson Stephens.
Eksperimenti me ushtrime fizike
Në kuadër të studimit, 192 vullnetarë morën pjesë në një eksperiment ku u kërkua të bënin ushtrime fizike, ndërsa çdo dy sekonda përsëritnin ose një sharje sipas zgjedhjes së tyre, ose një fjalë neutrale. Pas çdo serie ushtrimesh, pjesëmarrësit u pyetën për gjendjen e tyre mendore gjatë përpjekjes.
Pyetjet kishin për qëllim të matnin faktorë psikologjikë si emocionet pozitive, përqendrimin, vetëbesimin dhe ndjesinë e çlirimit nga frenimet sociale.
Rezultatet ishin të qart. Ata që përdorën sharje arritën të vazhdonin ushtrimet për një kohë dukshëm më të gjatë krahasuar me ata që përdorën fjalë neutrale. Sipas studiuesve, kjo lidhet drejtpërdrejt me rritjen e vetëbesimit dhe fokusit mendor.
Pse funksionon?
Sipas studimit, sharja ndihmon në “çlirimin” nga kufizimet shoqërore, duke i lejuar individit të shtyjë veten më fort.
“Me sharje, ne heqim përkohësisht filtrat socialë dhe i japim vetes leje të përpiqemi më shumë”, shpjegon Stephens.
Studiuesit shtojnë se këto gjetje ndihmojnë të kuptohet pse sharja është kaq e përhapur në jetën e përditshme. Ajo përshkruhet si një “mjet” i menjëhershëm, pa kosto financiare apo fizike, që mund të përdoret për të marrë një shtysë në performancën individuale.





