Në mesjavën e kaluar, në hotelin Bleart në Golem të Durrësit, zhvilloi punimet Asamblea zgjedhore e Federatës Shqiptare të notit. Pse jemi të interesuar për të trajtuar në këtë analizë, zgjedhjen e Feim Alliu si president i FSHN-së? Janë disa mesazhe kuptimplote që përcolli asamblea dhe që lidhen me performancën korrekte dhe profesionale të Feim Alliut. Prezenca në këto zgjedhje e zëvëndësministrit të ministrisë së TKRS-së Dashnor Bajazitit dhe e mjaft zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie që mbulojnë sportet, si dhe e Viron Bezhanit si i deleguar i KOKSH-it është tregues i evitimit të problematikës artificiale që mund të krijohej.

Ishte bërë e njohur që më parë, si asnjëherë në praktikën e këtyre zgjedhjeve, që postin e presidentit të FSHN-së e synonin tri kandidatë: Feim Alliu, Ardian Cani dhe Agim Çiraku. Gara do të ishte e fortë, por në praktikën shqiptare të zgjedhjeve nuk mungojnë edhe paudhësitë, apo prapaskenat që nxiten nga grupime me interesa të ngushta dhe primitive.

Në masa të rrepta organizative u lejuan të merrnin pjesë në këtë asamble, 18 të mandatuar nga shoqata të notit në qytete të ndryshme të vendit dhe përfaqësues të klubeve sportive. Sekretarja e përgjithshme e federatës Suela Haxhija, i qëndroi strikt kërkesave të statutit dhe nuk lejoi të ishin prezent në mbledhje Shpëtim Hoxha dhe Dashamir Bregu. Veçanërisht Shpëtim Hoxha, i shoqatës Tirana Delfina Sport, në mënyrë të fshehtë dhe të paligjshme, shpërndau në fshehtësi një letër, që dikush e quajti si traktet e dikurshme të luftës, ku bëhej thirrje për të mos votuar Feim Alliun si president.

Kjo ngjalli një shije të hidhur tek pjesëmarrësit në mbledhje, ndonëse dihen mirë qëndrimet e prera dhe parimore të Feim Alliut në dëm të veprimeve të ngushta dhe meskine, me qëllime përfituese të Shpëtim Hoxhës. Ky i fundit spekulon gjithnjë në emër të djalit të tij, notarit të njohur Sidni Hoxha që përgatitet në Amerikë pasi është atje me studime. Këtë fakt asamblea i anashkoi, por gjithsesi krijoi një ngacmin psikologjik duke krijuar një lloj tensioni tek të pranishmit.

Prezantimi

Të tri kandidadët për postin e presidentit, shpalosën programet e tyre. Fillimisht  shpalosi programin që do të ndiqte në rast zgjedhjeje Ardian Cani, i cili shpërndau edhe CV-in e tij dhe më pas foli biznesmeni tiranas Agim Çiraku. Ata premtuan se si mund të ndihmonin notin, për rregullimin e infrastrukturës së tij, funksionimin normal të federatës dhe organizmave përkatëse pranë saj. Ajo që bëri përshtypje, ishte mënyra se si foli Feim Alliu.

Ky intelektual i njohur i Durrësit, në rininë e tij ka qenë notar cilësor dhe këtë “zanat” ia trashëgoi edhe të birit Davidit, i cili studion për inxhinieri civile në universitetin e famshëm të Oksfordit në Angli. Çfarë nënvizoi Feim Alliu në rezumenë e tij në asamble? “Kur e mora këtë federatë vite të shkuara, njihet mirë nga komuniteti i notit inekzistenca e saj, e nxitëm së bashku me kryesinë të punojë dhe të futet në moto. Kjo ndikoi në njohjen e notit shqiptar nga organizma ndërkombëtare në Ballkan, Europë dhe botë.

Noti dërgoi në lojrat olimpike verore Londër 2012 përfaqësuesit e tij. Ajo që na interesonte të bënim, ishte mbështetja e aktivitetit të FSHN-së konform ligjit të sportit. Dhe tani jemi në një fazë që sa vjen e përmirësohemi. I jam mirënjohës atyre që më propozuan për të rikandiduar. I kam dhënë shumë notit shqiptar nga investimet e mia personale, ndonëse mbetet ende pak kundrejt nevojave që paraqiten. Për të ardhmen prioritet i punës time do të mbetet bashkëpunimi me ministrinë e linjës, bashkitë e qyteteve dhe federatat ndërkombëtare.

Kam besim se praktika e deritanishme e matjes së garave me kronometër mund të lihet pas, për t’u zëvëndësuar me matjet elektronike. Prioritet mbetet gjithashtu edhe trajnimi i trajnerëve dhe gjyqtarëve, për të nxitur administrimin publik dhe privat në not. Shoqatat dhe ekipet kanë nevojë të funksionojnë mbi bazë të parametrave ndërkombëtare, ndërsa veprimtaritë kombëtare të notit të dalin nga Tiranë dhe të shtrihen edhe në qytete të tjera.

Bashkëpunimi me shoqatën kombëtare të veteranëve të notit dhe të nëndegëve të saj në qytete, mbetet tjetër element parësor në punën time për t’i kushtuar më shumë kujdes dhe vëmendje promovimit të figurave të njohura të notit. Përsa i takon premtimit për të ndërtuar pishinë, kjo është absurde siç lanë të kuptohet parafolësit.

Një pishinë e thjeshtë kushton 120 mijë euro dhe këtë zor se mund ta bëjë një sipërmarrës i zakonshëm. Plotësimi dhe pasurimi i infrastrukturës, do të bëhet vetëm në sajë të forcimit të bashkëpunimit me bashkitë dhe ministrinë që na mbulon, si dhe tërheqja e fondeve apo donacioneve me projekte. Nuk mendoj të sjell mrekullinë, por angazhohem të shkojmë shumë më përpara sa tani”,- tha Alliu.

Kjo mënyrë komunikimi bëri përshtypje në asamble dhe natyrisht do të influenconte edhe në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Zgjedhjet dhe të larguarit

Bajaziti në fjalën e tij të shkurtër, por edhe Bezhani bënë thirrje për zbatimin e kërkesave statutore në zgjedhje. Dhe Suela Haxhija drejtoi me kompetencë një asamble me disa masa paragjykuese. Vendosja e kërkesave ligjore të saj evitoi një rrëmujë të parapërgatitur për të vendosur në krye të notit një figurë të paragjykuar. Kjo vërtet do të ishte alarmante dhe një goditje fatale e rregullsisë që kërkohet në sportet e ujit. Nuk është fjala se Feim Alliu ka rënë nga qielli dhe se ai kërkonte medoemos të zgjidhej në krye të kësaj federate.

Por drejtësia synonte në zbatimin e rregullave të lojës, që janë nenet e statutit të funksionimit të FSHN-së. Zgjedhjet u bënë në dy raunde. Në të parin Feim Alliu grumbulloi 10 vota, Agim Çiraku 6 dhe Ardian Cani 2. Kur rinisi raundi i dytë nuk u pa në sallë kandidati për president Ardian Cani, ai që foli aq bukur në fillim të punimeve se do të bëjë në not këtë apo atë të mirë. As nuk pati kurajën që të largohej ashtu siç duhej. Kur veproi kështu, sa bindës dhe i sinqertë do të ishte për të kryer tërë ato objektiva që i deklaroi?

Për punimet e asamblesë së notit dhe zgjedhjen e presidentit, ishin të interesuar edhe organizmat ndërkombëtare. Tërheq vëmëndjen shpejtësia me të cilën reaguan këto organizma, menjëherë pas mbarimit të punimeve dhe konfirmimit të lajmit për rizgjedhjen e Feim Alliut në pozicionin e presidentit të notit. Rezultati i dytë i votimit përcaktoi edhe zgjedhjen e presidentit, Feim Alliu me 10 vota dhe Agim Çiraku me 8

Të mandatarit e klubeve votuan në qetësi të plotë edhe në raundin e dytë, ndonëse Çiraku kërkoi sqarime që sipas tij përbënin parregullsi. Sekretarja Haxhia sqaroi me shumë përgjegjësi zotin Çiraku. Rezultati i votimit të dytë përcaktoi edhe zgjedhjen e presidentit. Feim Alliu me 10 vota dhe Agim Çiraku me 8.

Pas kësaj biznesmeni tiranas i shtrëngoi dorën Alliut dhe i uroi suksese në rizgjedhjen e tij. Këtë gjë bënë edhe të pranishmit në mbledhje. Duke qenë prezent në këtë asamble, absolutisht që nuk marrim në mbrojtje asnjë palë, aq më pak t’i bëjmë avokatinë zotit Alliu, gjithçka u zhvillua e qetë dhe në respekt të moralit të gjithsecilit. Në bazë të normave të statutit, Feim Alliu u zgjodh president i Federatës Shqiptare të Notit.

Njohja

Për punimet e asamblesë së notit dhe zgjedhjen e presidentit, ishin të interesuar edhe organizmat ndërkombëtare. Tërheq vëmëndjen shpejtësia me të cilën reaguan këto organizma, menjëherë pas mbarimit të punimeve dhe konfirmimit të lajmit për rizgjedhjen e Feim Alliut në pozicionin e presidentit të notit. Presidenti i LEN-it (Federata botërore e Notit) Paolo Berelo, i dërgoi Feim Alliu një mesazh përshëndetje.

Ai uron rizgjedhjen e tij në postin e presidentit, duke i shpreh bindjen se bashkëpunimi i dy federatve do të njohë rritje të reja. Në të tilla pozicione është edhe FINA (Federata Europiane e Notit). Presidenti i saj Ulio Maloine, i kërkon Feim Alliut të bashkëpunojnë në interes të zhvillimit të notit shqiptar, duke i garantuar përkrahje dhe mbështetje të fuqishme.

Urimet në sallë, njohja ligjore e punimeve të asamblesë nga përfaqësuesit zyrtarë pjesëmarrës në të, po ashtu edhe të faktorit ndërkombëtar të notit që uron dhe njeh Alliun dhe i kërkon atij bashkëpunim, janë konfirmimi më i mirë i punimeve të suksesshme të asamblesë së notit. Mbi këto kritere u zgjodh edhe kryesia e re, ku është pjesëtar edhe arkitekti i njohur durrsak Viktor Dhimgjini.

Kontestimi i pafat

Këto ditë është bërë publike në media, përpjekja e një grupi të mbështetur nga Shpëtim Hoxha, autor i atij “trakti” të thurur mbi akuza të pavërteta, se zgjedhja e presidentit nuk është ligjore. Sipas tij po grumbullohen firma për të përsëritur zgjedhjet. Këtyre veprimeve, të cilat i trajton si provokime të ulta ndaj komunitetit të notit, Feim Alliu i përgjigjet me gjuhën e ligjit dhe të zbatimit të ligjeve të sportit. “Ky është një turp dhe fyerje që i bëhet notit,- shpjegon Alliu për Dyrrah.

Ne kjo na nxit edhe më shumë për të punuar për zhvillimin e notit shqiptar. Nuk mund të humbim kohë me kontestime mjerane nga pozicione karrieriste dhe përfituese. Çfarë ishte për t’u bërë mbaroi. Tani na mbetet të shikojmë përpara, pasi koha e humbur është varfëri”.