Në një natë historike për futbollin evropian dhe për vetë klubin, Paris Saint-Germain shkroi një kapitull të ri në historinë e tij, duke fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve, të shtunën më 31 maj.

Por përtej triumfit në fushë, PSG ka bërë jehonë edhe jashtë saj.

Sipas një raportimi nga gazeta franceze ‘Le Parisien’, të bërë publik ditën e sotme klubi ka vendosur të shpërblejë jo vetëm lojtarët dhe stafin teknik, por edhe 700 punonjësit e klubit, duke ndarë me ta një pjesë të bonusit të fituar nga triumfi në kompeticionin më prestigjioz të futbollit evropian për klube.

Ky vendim erdhi me urdhër të presidentit të klubit, Nasser Al-Khelaifi, dhe me mbështetjen e plotë të lojtarëve dhe stafit teknik.

Gjest i rrallë në botën e futbollit profesionist, ku shpesh fokusi përqendrohet vetëm te emrat e mëdhenj dhe shifrat marramendëse të kontratave.

Këtë vit, PSG tregoi se ishte më shumë se një ekip, ishte një familje.