26 nëntor 2015 – Klubi i Paris Saint Germain është gati “të hapë thesin” për të sjellë Cristiano Ronaldon në “Parc des Princes”. Gjigantët francezë janë gati ti paguajnë portugezit një rrogë “të çmendur”, e barazvlefshme me 355 mijë euro në javë (përfshirë taksat). Kjo do të ishte ekuivalentja e 700 mijë eurove në javë, pa marrë parasysh taksat. Manchester United nuk do të mund të konkurronte ndaj një shume të tillë. 

Ky lajm i bërë i ditur nga “Mirror” vjen pas deklaratës së menaxherit të CR7, Jorge Mendes, i cili deklaroi gjatë javës se portugezi nuk do të largohej nga Reali. Megjithatë kjo nuk do ta frenojë PSG-në, të cilët e konsiderojnë 30 vjeçarin si pasardhësin e Zlatan Ibrahimovic, i cili do të largohet në fund të këtij sezoni nga kryeqyteti francez pasi kontrata e tij me Kampionët e Francës përfundon këtë verë. 

Ibrahimovic, 34 vjeç, fiton rreth 300 mijë euro në javë dhe PSG-ja është e gatshme ti ofrojë një shumë më të madhe Cristianos. Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi është i vendosur të ndihmojë gjigantët francezë për të rekrutuar emra të njohur në futbollin botëror, teksa parisienët e konsiderojnë Ronaldon si një ndër futbollistët më të mëdhenj në qarkullim. Pavarësisht ëndrrës së United për të rikthyer Ronaldon në “Old Trafford”, shanset duken të pakta, edhe pse Van Gal pranoi javën e kaluar se do të ishin të interesuar për portugezin. PSG-ja beson se ka shanse më të mira për të nënshkruar me Ronaldon, i cili në shkurt do të bëhet 31 vjeç dhe do të ishte gati të fillonte një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi ka luajtur në Portugali, Spanjë dhe Angli. 

Ndërkohë, Luka Modriç kërkon që “Los Blancos” ti rikthehen sukseseve, teksa sot do të luajnë në Ukrainë ndaj Shakhtar Donetsk në Champions League. Mesfushori kroat pranoi se humbja ndaj Barcelonës në “Bernabeu” është ende një “plagë” që dhemb. Trajneri Rafa Benitez vazhdon të luftojë për të ardhmen e tij, pavarësisht faktit që mori mbështetjen e presidentit të Realit, Florentino Perez, por Modric është i bindur se ekipi mund të dalë nga kjo situatë e vështirë. 
Ai tha: “Kur luajmë të gjithë si ekip jemi të pandashëm. Nuk mendoj se është problem mentaliteti, por humbjet e fundit kanë ndikuar jo pak në humorin e skuadrës. Nuk luajtëm si ekip dhe nëse nuk je kompakt ndaj Barcelonës, ja se ç’farë ndodh. Kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, kështu që duhet të kundërpërgjigjemi dhe të përmirësohemi.”
/portali DurresLajm/