Kampionatet për momentin kanë frenuar, me përjashtim të Anglisë, por bisedimet mes Barcelonës dhe PSG-së për çështjen “Nejmar” vazhdojnë në prapaskenë dhe në heshtje totale. 

Media spanjolle dhe ajo franceze në sinkron, konfirmojnë se sulmuesi brazilian do të bëjë me siguri rikthimin e tij në “Kamp Nou”, verën e ardhshme, duke qenë se dëshira e madhe e vetë Nejmarit mbizotëron mbi të gjithë peshën e tratativës në fjalë dhe tashmë për këtë është e dorëzuar edhe PSG-ja.

Oferta e fundit që Barcelona i ka paraqitur kampionëve të Francës kap vlerën e 180 milionë eurove, shifër kjo disi më e ulët nga 222 milionët e klauzolës që paguan transalpinët dy vite e gjysmë më parë, por gjithsesi do ta pranojnë.

Sigurisht që për katalanasit një investim i tillë është shumë i madh, duke parë edhe normat strikte të “fair play”-t financiar, por te Barça janë të bindur se në mos Bajerni i Mynihut, njerëzit e tyre të merkatos do të dinë të sistemojnë në Angli brazilianin Kutinjo, për të paktën 100-120 milionë euro, gjatë verës.