Juventus, Mançester Junajtid apo PSG? E ardhmja e Kristiano Ronaldos duket në udhëkryq dhe në këto momente ka këto tre opsione për të ardhmen e tij.Ylli portugez është duke kërkuar alternativa përveç Juventusit dhe në orët e fundit është përforcuar ideja e kalimit të mundshëm të tij në Francë.
Sipas asaj që raporton iberikja “AS”, PSG ka nisur kontaktet me agjentin e njohur Zhorzh Mendes për lojtarin luzitan.Në rast largimit të Kilië Mbape në drejtim të Real Madridit, presidenti Naser Al-Kelaifi do të hidhej në sulm për 5 herë fituesin e “Topit të Artë”, ku së bashku me Nejmarin do të synonin fort fitimin e Champions-it.
Në kampin juventin duke parë gjendjen e rëndë financiare të shkaktuara nga pandemia globale e COVID-19, do të ishin të gatshëm ta linin të lirë Ronaldon prej pagës së tij stratosferike dhe do të negocionin me parizienët me një shifër nga 25-30 milionë euro, ose me një shkëmbim me ish-kapitenin e Interit, Mauro Ikardi.





