Mbërriti te Paris Saint-Germain në verë me statusin e lojtarit më të shtrenjtë të historisë së fubollit (222M euro nga Barça), Neymar nuk ka vonuar të justifikojë pritshmëritë.
Një lojë spektakolare, vendimtar me 6 gola dhe 5 asiste në Ligue 1, gjithmonë në qendër të vemendjes së medias, braziliani i ka bërë për vete të gjithë, pavarësisht historisë për “ekzekutimin e penalltive” me Edinson Cavani-n.
Rai, ish-lojtar i PSG-së në vitet 1990, vlerëson se bashkëkombasi i tij i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë më i miri në botë, por sipas tij duhet të përmirësojë një element në lojën e tij.
“Ajo që më impresionon më shumë është se Neymar ka shpejtësi, teknikë dhe inteligjencë loje, ndaj dhe ai është një futbollist i rrallë. Por besoj se ka një të metë, ai duhet të përmirësojë lojën me kokë, sepse i ka aftësitë për të kërcyer lart”, u shpreh Rai për “RMC”.
Kujtojmë se Neymar është një nga 30 kandidatët për “Topin e Artë 2017”, së bashku me shokët e tij te PSG, Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani.





