Covid-19 ka rritur ndjeshëm numrin e pacientëve të prekur nga sëmundje të shëndetit mendor.
Mjeku i njohur psikiatër Gazmend Rrahmani pohon për “DurrësLajm” se një në pesë persona që preken nga koronavirusi shfaqin probleme të shëndetit mendor dhe kjo është më e pranishme tek moshat e reja.
“Shtimi i rasteve është mjaft evident. 1 në 5 persona që preken nga Covid shfaqin problematika të shëndetit mendor që mund të jenë pagjumësia, ankthi, depresioni, çrregullimi i stresit pas traumës etj. Zakonisht grupmosha më e prekur është e të rinjve, aty regjistrohet piku i shfaqjes së simptomave të ankthit. Në moshën mbi 50 vjeç, simptoma që shfaqet më shpesh është pagjumësia dhe depresioni”,- thotë psikiatri.
Shifrat e larta në Durrës, shpjegohen sipas mjekut Rrahmani me mbivendosjen e traumave, fillimisht tërmeti dhe më pas pandemia. Këto dy ngjarje të rënda brenda një periudhe të shkurtër kohore ndikuan jo pak në shëndetin mendor të popullatës.
“Durrësi ka një veçanti në krahasim me qytetet e tjera, sepse traumat lënë pasoja tek njerëzit. Ne erdhëm pas një traume, siç ishte tërmeti i nëntorit 2019, dhe u ndodhëm para një pandemie. Mbivendosja e pandemisë për qytetarët durrsakë qe një gjendje e paparashikueshme dhe ndikoi negativisht”,– deklaron Rrahmani.
Të konsideruara kohë më parë si tema tabu, tani gjithnjë e më shpesh dëgjohet të flitet publikisht për sëmundjet e shëndetit mendor. Psikiatri Rrahmani e sheh këtë si një gjë mjaft pozitive sepse shmang mbylljen e pacientit në vetvete dhe njëkohësisht e ndërgjegjëson atw që të kërkojë ndihmën e mjekut specialist.
Kontakti me mjekët specialistë, që në simptomat e para të çrregullimeve të shëndetit mendor është sipas Rrahmanit çelësi i suksesit për kurimin e sëmundjes dhe evitimin e efekteve afatgjata të saj në organizëm.
M.B.