6 tetor 2015 – Mjeku psikiatër që është marrë me rastin e Ruzhdi Arishtës thotë se, ndonëse 56-vjeçari njihej për problemet e tij mendore, askush nga uniformat blu nuk kërkoi informacion për të.
Gjon Preçi thotë në një intervistë për “Panoramën” se Arishta vuante nga një lloj skizofrenie që ia bënte realitetin si në gjendje lufte imagjinare. Për këtë arsye, mjeku e argumenton dhe rezistencën prej 12 orësh të autorit të vrasjes së komandantit të FNSH-së.
Mjeku tregon se e njeh atë prej vitesh. “Ka qenë pacienti ynë. Ka pasur një psikozë mjaft rezistente, paranoide të skizofrenisë ku gjithë mjedisi ku jeton i sëmuri bëhet armiqësor sipas tij, ndaj dhe reagon ashpër. Ka shumë që është diagnostikuar dhe madje ka pasur edhe statusin e invalidit, për shkak të humbjes së aftësisë nga sëmundja kronike. Ka qenë një person që nuk është mjekuar siç duhet për shkak edhe të vështirësisë që kishte ai për t’u bindur. Ka pasur shtrime në psikiatri në mënyrë të përsëritur, sepse është një histori shumëvjeçare”, thotë ai.
Sipas mjekut, Arishta ka pasur integritetin intelektual të tillë që të reagojë me saktësi të veprimeve ose kundërveprimeve të forcave të policisë apo RENEA-s.
“Nuk ka qenë ndonjë person që bënte një veprim kaotik dhe mund ta kapje të papërgatitur. Këta persona kanë një hipervigjilencë, janë shumë vigjilentë dhe shumë dyshues. Është interesante se ku e ka gjetur armatimin, duke qenë se ka qenë i identifikuar nga komuniteti si i sëmurë e të gjithë i ruheshin dhe nuk e ngacmonin”, tregon mjeku.
/portali DurresLajm/