Nga Blerina Xhakolli Reçi

DURRËS, 20 tetor 2014Disiplina e psikologjisë kulturore, edhe pse relativisht e re në fushën e psikologjisë po merr përmasa të rëndësishme duke u bërë kështu subjekt interpretimesh.

Rëndësia e studimit të kësaj fushe është risi e domosdoshme e dekadave të fundit, për mbarë shoqëritë dhe fenomenet social-kulturore, mbartëse dhe nismëtare të ndryshimeve të mëdha kudo në botë. Psikologjia kulturore ka për objektiv të tregojë që mendja dhe jeta e njeriut janë pasqyrë e kulturës, e historisë dhe e fenomeneve psikologjike. Ajo fokusohet në konceptin e lidhjes së pandashme midis proceseve mendore dhe komplekse kundrejt vlerave, kuptimeve, diskutimeve, praktikave, objeketeve, përmes së cilave qeniet njerëzore veprojnë me botën që i rrethon.

Karakteri shumëdimensional që paraqet ansambli kulturor botëror e ka bazën tek asimetritë zakonore që racat njerëzore kanë pasur që në fillim të njerëzimit. Kultura më shumë se biologjia udhëheq mendjen dhe jetën e njeriut. Ajo u jep kuptim veprimeve duke vendosur qëllimin e brendshëm në një sistem interpretimi. Kultura mund ta bëjë këtë duke vendosur modele që bëjnë pjesë në sisteme simbolike: a) gjuha dhe mënyrat e diskutimit; b) forma e të shpjeguarit logjik e tregimtar: c) modelet e jetës shoqërore që janë të ndryshueshme në varësi të marrëdhënieve reciproke. Një numër gjithmonë e më i madh neurologësh dhe etnologësh kanë arritur në përfundimin që kërkesat e kulturës kanë pasur një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e karakteristikave në zhvillimin e njeriut.

I rëndësishëm nuk është vetëm vlerësimi dhe rëndësia e kulturës në zhvillimin e qenies njerëzore, porn ë veçanti ndikimi i saj në proceset e caktuara psikologjike, konjitive dhe në evolimin e vetë qenies njerëzore; ndikimi dhe funsioni i saj në mbarëvajtjen sa më harmonike të një shoqërie, gjithnjë e më multietnike, duke kuptuar veçoritë dhe karakteristikat e individëve nga kultura të ndryshme. Ecuria  e shkencës së psikologjisë dhe domosdoshmëria e një përqasjeje historiko-kulturore gjithmonë në rritje shërben për të shpjeguar fenomenet dhe proceset psikologjike në tërëisnë e tyre. Zhvillimi historik, ndërmjetësimi kulturor dhe veprimtaria praktike janë proceset kryesore, përmes të cilave shfaqen dhe zhvillohen proceset e ndryshme psikologjike të njeriut. Detyra apo qëllimi i psikologjisë kulturore është të kuptojë se si futet kultura në proceset psikologjike.

Kontributi i antropologjisë, psikologjia transkulturore, transnacionalizmi, ballafaqimi interkultural, multikulturalizmi, psikologjia evolucioniste dhe ajo kulturore, antropologjia eksperimentale dhe psikologjia etnografike, psikanaliza, etnopsikanaliza dhe zhvillimi i saj me studiuesit përkatës dhe gjetjet e tyre janë bërë baza e psikologjisë kulturore.

Kjo e fundit, gjithashtu thekson që përvoja njerëzore dhe veprimi janë formuar nga gjendjet tona të brendshme. Psikologjia kulturore ndodhet në shfaqjen dhe funksionimin e proceseve psikologjike brenda takimeve të përditshme të njerëzve në ngjarjet e jetës sonë të përditshme.

Si përfundim, ajo synon të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi kulturën individuale dhe kolektive, duke i dhënë kështu verën e duhur përkatësisë kulturore dhe jo vetëm. Kjo disiplinë mundohet të faktojë se si ndikon kultura në proceset psikologjike të zhvillimit të individit; tregon ndikimin, peshën dhe rëndësinë e kulturës në proceset e perceptimeve, ndjesive, në organizimin e kujtesës, përvojës, në interpretime, në të treguar etj.