17gusht 2015 – Historia e dy motrave nga Spitalla e Durrësit dhe akuzat që ato lëshuan për dhunë nga ana e familjarëve nuk është i vetmi, por është një fenomen i gjerë në Shqipëri. Psikologu Edmond Dragoti, në një intervistë për gazetën “Panorama” tha se nuk beson që historia që pretendojnë vajzat të mos jetë e vërtetë. “Për fat të keq, ka shumë familje, sidomos ato në zona periferike e fshatra, ku haset ky konflikt brezash e kulturash.
Ndodh sidomos te familjet migratore të cilat pas zhvendosjes, gjenden përball kulturave të ndryshme nga ato që janë mësuar, nuk kanë njohje, nuk kanë identitet. Janë të friksuar sepse u duket se e kanë të pamundur të mbajnë situatën nën kontroll dhe për pasojë, bëhen të dhunshëm”, shprehet Dragoti.
Sipas tij, në rastin e dy motrave Orialda dhe Klevisa Kajtazi, psikologu i shkollës duhej të bënte punën kryesore dhe të fliste me prindërit e vajzave. Vetëm në këtë mënyrë, thotë psikologu, mund të shmangej kjo situatë. Gjithashtu, ai shprehet se dhe punonjësit socialë nëpër shkolla kanë detyrë të jenë më të angazhuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/